Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në takim me një delegacion të Departamentit Federal për Politikë të Jashtme të Zvicrës, diskutoi për bashkëpunimin ndërshtetëror, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritashëm me besimin që i tillë do të jetë edhe në vazhdim.
Në këtë takim u diskutua edhe për situatën politike në vend, me theks të posaçëm në procesin e dialogut Kosovë- Serbi.
Kryetarja Osmani përsëriti qëndrimin se ky dialog duhet të përcillet me transparencë ndaj Kuvendit të Kosovës dhe se ky organ ligjvënës duhet të ketë rol aktiv në këtë proces. Sipas saj, secila marrëveshje duhet të zbatohet në terren, ndaj nevojitet mbështetje gjithëpërfshirëse, unitet politik, angazhim i shoqërisë civile dhe legjitimitet nga qytetarët.
Nga ana e përfaqësuesve zviceranë u përmend ndihma e këtij shteti në projekte që lidhen me fuqizimin e rolit të Kuvendit të Kosovës në mbikëqyrjen e dialogut më Serbinë. Gjithashtu u përmend nevoja e bashkëpunimit edhe në sferën ndërparlamentare.
Temë e diskutimit dypalësh ishte edhe çështja e viktimave të dhunës seksuale nga lufta dhe nevoja për një muze të përhershëm kujtimi për fëmijët që e kanë humbur jetën në luftë.
Kryetarja Osmani tha se duhet bërë më shumë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, duke i fuqizuar nismat aktuale dhe duke e ruajtur kujtimin e përhershëm të të gjithëve atyre që humbën jetën në luftën e fundit.