Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë konsultimeve të ardhshme me partitë politike, do të bëjë thirrje për kompromis politik me qëllim të miratimit të buxhetit për vitin 2026 dhe ratifikimit të Planit të Rritjes.
Për Ekonomia Online e konfirmoi këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, i cili tha se këto akte janë thelbësore për stabilitetin institucional dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas tij, Osmani do të inkurajojë bashkëpunimin mes partive për të shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencoj rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit. Në këtë kuadër, Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kupina për EO.