Presidentja e Republikës së Kosovës, në Samitin e Kopenhagës për Demokraci, ka thënë se ardhmja e Kosovës është në familjen euroatlantike. Ajo tha se Bashkimi Evropian dhe NATO mbeten ndër aleancat më të njohura në historinë moderne, për demokracinë.
“Jemi dëshmitar të një sulmi të pandalshëm ndaj vlerave demokratike nga autokratët që e shohin demokracinë si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj ambicieve të tyre. Sa më e madhe të jetë dëshira e tyre për ta minuar demokracinë aq më e fortë duhet të jetë vendosmëria jonë për ta luftuar. Jam krenare që qëndroj në këtë podium të sotëm për të ndarë me juve një këndvështrim në historinë e Kosovës si tregim i shpresës si tregim I demokracisë që jep rezultat”, tha Osmani mes tjerash.
Sipas saj, demokracia më e gjallë në rajonin tonë është testament i vërtetë i asaj se si fati i një populli mund të transformohet kur jepet një rrugëtim drejtë pavarësisë, lirisë e demokracisë duke dalë nga hiri i një lufte gjenocidale.
“Siç e dini Kosova kufizohet me Serbinë vend që është dëshmuar të jetë dorë e zgjatur shumë lojale e Rusisë që përpiqet të luaj me ato lojërat e Putinit në Ballkan Perëndimor duke hapur një front të ri ndaj perëndimit sepse ky efekti shpërndarës me të cilin Rusia do të arrinte shpërqendrimin e vëmendjes nga Ukraina, kjo do të ishte shumë e nevojshme për ta. Puna që mbajmë bashkë me aleatët tanë, NATO-n, për të siguruar që Kosova të mbetet e sigurtë e stabile, është një gjë që bëjmë çdo dite çdo orë”, tha ajo.
E para e vendit tha se kemi rritur bashkëpunimin me aleatët tanë për tu siguruar që çdo qëllim destabilizues në kufirin verior të Kosovës të kthehet mbrapshtë.
“Vitin e kaluar patëm një sulm paramilitar që shkoi deri në akt të agresionit nga Serbia, por që arritëm ta kthenim mbrapshtë përkundër madhësisë së sulmit, sepse bashkëpunuam me aleatët tanë. Kjo nuk do të thotë që nuk do të përpiqen prapë në të ardhmen, ajo që nënkuptohet këtu është që ne do të jemi të suksesshëm për t’i ndalur që në orët e para”, tha Osmani.