Osmani e Kurti premtojnë kushte më të mira për FSK-në – “Që çdo ushtar të ketë vullnet e motiv të kontribuojë për ushtrinë dhe vendin”

Prishtinë | 27 Nën 2023 | 12:34 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, kanë vizituar kazermën “Adem Jashari” me rastin e Ditës së Forcës, raporton Ekonomia Online.

Fillimisht, Osmani e Kurti kanë parë nga afër pajisjet ushtarake për të cilat u informuan nga ushtarakët e Forcës së Sigurisë.

Presidentja Osmani u shpreh krenare me ushtrinë e Kosovës, ndërsa theksoi se në bashkëpunim me institucionet e tjera do të punojnë në mënyrë që ushtarët të kenë motiv për të kontribuar për vendin.

“Si komandante supreme e kësaj ushtrie, çdokund në çdo cep të botës shihet se me sa admirim vlerësohen sukseset e kësaj ushtrie, prandaj jam jashtëzakonisht krenare për të, por njëkohësisht së bashku me institucionet e tjera do të punojmë në mënyrë që të krijohen kushte edhe shumë të volitshme qofshin ato të mirëqenies, qofshin ato të trajnimeve dhe shkollimit shtesë, qofshin ato shëndetësore, në mënyrë që çdo ushtar dhe çdo ushtare e ushtrisë tonë të ketë prosporitet dhe më shumë vullnet e motiv që të kontribuojnë për ushtrinë tonë dhe vendin tonë”, deklaroi Osmani.

E para e shtetit u shpreh e bindur se ushtarët e FSK-së janë të gatshëm ta japin edhe jetën për Kosovën.

Sipas saj, Forca e Sigurisë është forcë e trajnuar në bazë të standardeve të NATO-s.

“Është derdhur shumë gjak në mënyrë që Kosova ta ketë lirinë, prandaj jemi të bindur se secili ushtarë e ushtare janë të gatshëm ta jepni edhe jetën për Kosovën. Sot Forca e Sigurisë është forcë e trajnuar në bazë të standardeve të NATO”.

Presidentja shtoi se së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e FSK-së, Bashkim Jashari, janë vazhdimisht në koordinim “në mënyrë që ushtria jonë çdo ditë e më shumë të arrijë edhe maja më të larta”.

Edhe kryeministri Albin Kurti foli për shtimin e buxhetit për ushtrinë, raporton EO.

Kjo ditë, tha kryeministri Kurti, është një ditë e gëzimit, ku edhe përkujtojmë ata që sakrifikuan, por në të njëjtën kohë edhe me optimizëm ecim drejt së ardhmes kur e dimë se sa të sigurt jemi me ushtrinë tonë.

“Sot bashkë me presidenten, me komandantin dhe ministrin patëm rastin të vizitojmë ekspozimin e pajisjeve dhe armatimit të FSK-së e cila është forcë e bashkimit edhe krenarisë tonë. Pamë që këtu sot, kanë ardhur për vizitë të gjitha moshat, pa dallim prejardhje, të dy gjinitë, gjithashtu të gjitha etnitë dhe është një ditë e gëzimit ku ne në të njëjtën kohë edhe përkujtojmë ata që sakrifikuan por në të njëjtën kohë edhe me edhe me optimizëm ecim drejt së ardhmes kur e dimë se sa të sigurt jemi me ushtrinë tonë”, tha Kurti.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në më pak se tri vjet ka bërë më shumë se dyfishim të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, ka bërë gati trefishim të investimeve në armatim dhe më shumë se katërfishim të trajnimeve dhe shkollimeve të oficerëve dhe ushtarëve tanë jashtë vendit. Konkretisht për më pak se 32 muaj kemi dërguar 3459 ushtarë e oficerë jashtë vendit. Në njëjtën kohë ne e kemi të qartë se Forca e Sigurisë së Kosovës është trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nesër e kemi 28 Nëntorin që e shënojmë në kujtim të trinisë, të flamurit të kuq me shqiponjën dy krenare të Skënderbeut në Krujë, të Ismail Qemalit në Vlorë, e të Adem Jasharit në Prekaz. Andaj, me krenarinë e lavdishme që kemi për hir të së kaluarës, me përplot optimizëm, shpresë dhe përgjegjësi ecim drejt së ardhmes”, tha tutje Kurti.

Të ngjashme