Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka falënderuar homologun e saj amerikan Joe Biden për letrën që ia dërgoi këtë të marte.
Ajo ka thënë se veçanërisht i është mirënjohëse për përgjigjen e kthyer lidhur me ndihmën për sigurimin e vaksinave.
“E falënderoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për letrën e tij të përzemërt në emër të popullit amerikan. Presidenti Biden thekson partneritetin e gjatë mes dy vendeve tona të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën. Ai poashtu ka theksuar se do të punojë me ne në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike”.
“Në veçanti, e falënderoj Presidentin Biden që i është përgjigjur letrës sime të datës 19 mars lidhur me ndihmën në drejtim të sigurimit të vaksinave, si prioritet numër një i institucioneve tona. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me ekipin tim për realizimin e këtij synimi”.
Biden në letër ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet përqenduar në njohje reciproke.