Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë, Mitsunori Ogasawara.
Kryetarja Osmani, në takim me ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë, Mitsunori Ogasawara, ka thënë se ndihma e Japonisë për t`i përballuar pasojat e pandemisë Covid-19 është e çmueshme dhe ka ardhë në kohën e duhur.
Ajo ka falënderuar shtetin japonez për ndihmat dhe ka thënë se bashkëpunimi në luftën kundër pandemisë duhet të jetë prioritet.
“Është mirë që kemi mbështetjen e një shteti mik si Japonia në këto kohë të vështira”, ka thënë zonja Osmani, duke kërkuar që bashkëpunimi në këtë sferë të vazhdojë edhe më.
Në këtë takim u diskutua edhe për mundësitë e investimeve në infrastrukturën shëndetësore me qëllim që të krijohen kapacitete të duhura për preventivë, përtej reagimit emergjent.
Palët diskutuan edhe për mundësitë e shkëmbimit ndërmjet të dy shteteve, si në fushën e digjitalizimit apo teknologjisë, me fokus të posaçëm në burimet e ripërtëritshme të energjisë.