Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti nuk ka përvojë të mjaftueshme që të udhëheqë dialogun me Serbinë duke thënë se kjo mungesë paraqet një hendikep për vendin në raport me Serbinë.
“Puna e dialogut është që bëhet fjalë për një proces jashtëzakonisht kompleks që kërkon aftësi negocimi në fushën e negociatave të karakterit ndërkombëtar të cilën Hoti nuk e ka. Ai s’e ka sepse nuk e ka mbuluar këtë fushë asnjëherë në karrierën e tij, qoftë si politikan qoftë si ekonomist. Është rrezik që të shkohet me eksperimente, pra nuk mund të thuash ta provojmë le të eksperimenton”.
“Problemi është që përballë e ka një president i cili e ka mbuluar këtë fushë dhe këtë dialog që së paku një dekadë. E dyta është që nuk ka qenë i përfshirë në asnjë nga proceset e shtetndërtimit, qoftë përgatitjeve rreth shpalljes së pavarësisë, nuk ka asnjë përvojë në negocimin e Pakos së Ahtisarit që t’i dijë detajet e koncesioneve që janë bërë. Ai nuk ka qenë i përfshirë për aq sa jemi ne të njoftuar në negociata intensive në Bruksel, njëherë me Thaçin kryeministër dhe pastaj me Mustafën”.
“Kjo është hendikep jashtëzakonisht i madh për cilindo qoftë, është sikur unë ta merrje përsipër ta menaxhoja fushën e shëndetësisë ose një fushë që nuk është as profesion as nuk e kam si përvojë. Në këtë rast pasojat janë për tërë vendin, sepse është një proces jetik jo vetëm për shtyllat themelore të shtetësisë por që përfundon me njohje”.
E pyetur për emërimin e Skender Hysenit në postin e koordinatorit nacional për dialogun, Osmani në Rubikon të Klan Kosovës, tha se Hyseni mund të udhëheqë dialog teknik, por jo edhe dialog politik.
“Unë mund ta jepja një vlerësim nëse do ta dija se cilat janë termat e referencës së punës së zotëri Hysenit. Nëse ne vazhdimisht kemi deklarata nga kryeministri që dialogu do të jetë vetëm i nivelit politik, Hyseni nuk është përfaqësues politik, as nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e fundit, as nuk ka ndonjë pozitë institucionale, rrjedhimisht unë nuk e di kënd e përfaqëson ai për dialog politik. Nëse është duke bërë dialog teknik, Qeveria duhet të dalë dhe të na tregojë se cili është ai dialog teknik, a do të merret me marrëveshjet e arritura deri tani dhe vlerësimin e zbatueshmërisë së tyre? Nëse janë tema të përfaqësimit politik, kjo duhet të sqarohet në detaje”.
Osmani shtoi se Hyseni ka pasë përvojë me negociatat e Ahtisarit, por se si Kuvend nuk e kanë të qartë kush do ta negociojë marrëveshjen finale në mes Hotit dhe Hysenit.