Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim tre senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis, të cilët po qëndrojnë në Prishtinë, në përmbyllje të një vizite në rajon, raporton Ekonomia Online.
Në një deklarim të përbashkët për disa medie, pas takimit, presidentja Osmani tha se dhe kjo vizitë dërgon mesazh dhe tregon përkushtimin e ShBA-së për rajonin tonë.
“Si aleati ynë më i madh e i zëshëm, ShBA-ja luan rol të rëndësishëm dhe aktiv në rajonin tonë, në Kosovë, dhe e mirëpresim këtë angazhim”.
“Nuk është sekret se rendi i sigurisë brenda kontinentit evropian është nën kërcënim. Ka pasur dhe vazhdon të ketë një interesim serioz nga Rusia që ta destabilizojë kontinentin dhe rajonin tonë”.
“I informova mysafirët tanë nga Senati i Shteteve të Bashkuara për rolin destruktiv që Serbia vazhdon ta luajë në rajonin tonë, si aleat i Rusisë, në një përpjekje për të tërhequr rajonin tonë drejt së kaluarës”.
“Por kam besimin e plotë se bashkërisht do t’i ndalojmë këto ndikime malinje, për dy arsye kryesore: E para sepse ky është vullnet i popullit të Kosovës, si populli më proamerikan dhe pro-NATO në botë; dhe e dyta kam besimin e plotë se kur punojmë me ShBA-në mund të arrijmë gjithçka”.
“Kur punojmë së bashku me ShBA mund të arrijmë gjithçka. Jemi me fat që vazhdojmë të kemi mbështetjen e secilës administratë amerikane. Përkushtimi ynë është kyç për të nderuar mbështetjen nga ShBA-ja. Fola për synimin tonë hapat drejt integrimit euroatlantik. Rruga e Kosovës është e qartë dhe kam besim se do të kemi mbështetjen e plotë të ShBA-së”, tha Osmani, raporton EO.
Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, tha se është e rëndësishme ta tregojnë mbështetjen e tyre që kanë për Kosovën. Tutje, ajo theksoi se mirëpresin aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e NATO-s.
“Më vjen mirë që jam kthyer këtu me miqtë tanë. Jemi delegacion dypartiakë. Ne shërbejmë në komisione që janë të rëndësishme për Kosovën dhe politikë të jashtme. Është e rëndësishme të tregojmë mbështetjen tonë për Kosovën. Sot vizituam kampin ‘Bondsteel’ dhe çmojmë përkushtimin e Kosovës. Vlerësojmë historinë dhe përkujtimin tuaj për sekretaren e Albright. Edhe në SHBA do të na mungojë ajo”.
“Këtu jemi si pjesë e miqësisë që kanë ShBA-ja dhe Kosova. Mirëpresim aspirata e Kosovës për të qenë pjesë e NATO. Ne jemi pjesë e grupit punues për NATO-n. Gjithashtu dëshiroj të shpreh përkrahjen për të lëvizur drejt BE-së. I ndajmë shqetësimet tuaja për rajonin. Mirëpresim mundësinë për të bashkëpunuar më tej. Mirëpresim mundësinë për të vazhduar marrëdhëniet tona të punës”, tha Shaheen.