Osmani i ndan ‘Medaljen Presidenciale të Meritave’ regjisores së filmit “Zgjoi”, Blerta Basholli

Prishtinë | 19 Shk 2021 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Filmi kosovar “Zgjoi” bëri historinë, duke u bërë filmi i parë i kinematografisë vendore që fitoi gjithsej tri çmime të rëndësishme në “Sundance Film Festival”.

Ky film, skenari i së cilës është i bazuar në një ngjarje të vërtetë të pas-luftës në Kosovë, ka fituar tashmë simpatinë e publikut ndërkombëtar dhe ka marrë vlerësime të larta për temën që e trajton dhe mënyrën e realizimit.

Regjisorja e këtij filmi, njëherësh Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, është dekoruar së fundmi nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, me medaljen presidenciale të meritave.

Këtë gjë ajo e ka bërë të ditur përmes disa fotografive të publikuara në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjerash ka shfaqur edhe mirënjohjen e pranuar nga u.d Presidentja.

Ky është postimi i saj i plotë (pa ndërhyrje):

“MEDALJE PRESIDENCIALE E MERITAVE
Për kontributin e dhënë në fushën e kulturës
Nderin që na e ka bërë Presidentja Osmani është nder i shumëfishtë. Jo vetëm për mua dhe ekipin e filmit ZGJOI, por është nder për shkak të tematikës të cilën trajton, për zonjën Fahrije Hoti dhe zonjat e tjera inkurajuese si ajo, për Presidenten, Grua e suksesshme si në fushën akademike ashtu edhe ate politike, për komunitetin artistik, i cili ka nevojë për më shumë vëmendje nga shteti, për vet Kosovën.
Këtë medalje të meritave ia dedikojmë zonjës Fahrije Hoti, e cila është edhe symbol i të gjitha grave të Kosovës, të cilat përkundër humbjeve që pësuan nga lufta e fundit në Kosovë, përkundër paragjykimeve e pengesave serioze nga shoqëria, përkundër mbështetjes aspak të mjaftueshme nga shteti, ato me kokën lartë vazhduan, punuan, edukuan fëmijë dhe patën sukses në çdo aspekt. Na dhanë shembull model se si duhet të vazhdojmë të punojmë edhe ne të tjerët, qofshim gra apo burra.
Tregimi i zonjës Fahrije Hoti është një tregim inkurajues për secilin prej nesh, andaj e falenderoj edhe publikisht për shembullin që na e ka dhënë për fuqizimin e gruas në vend edhe kur ai fuqizim duket i pamundur, përcillet me pengesa e me shumë dhimbje.
Faleminderit znj. Fahrije Hoti që ndave këtë pjesë të jetës tënde me ne! Je dhe do të jesh inspirimi im, por është i shumë të tjerëve përherë.
Një falenderim i veçantë dhe me shumë dashni shkon edhe për aktoren Yllka Gashi që në mënyrë profesionale dhe shumë delikate e sjelli në jetë këtë rol kaq të rëndësishëm në çdo aspekt dhe producentin Yll Uka që ishte mbështetësi kryesor i imi, por edhe i gjithë projektit. Natyrisht pa dyshim edhe të gjitha aktoret dhe aktorët e filmit Zgjoi bashkë me ekipin e palodhshëm dhe shumë të dashtun për ne.
FALEMINDERIT!!!”, ka shkruar Basholli. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme