Osmani ia dorëzon flamurin ekipit olimpik që do ta përfaqësojë Kosovën në Paris – “Nuk është vetëm arritje personale, por edhe e vendit”

Prishtinë | 15 Kor 2024 | 20:33 | Nga Diellza Gashi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar simbolikisht flamurin ekipin olimpik të Kosovës, i cili do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Presidentja Osmani ka porositur garuesit se në LO “Paris 2024”, nuk e përfaqësojnë vetëm veten e tyre dhe se suksesi i arritur nuk është vetëm arritje personale po arritje e vendit, raporton Ekonomia Online.

Të pranishëm në këtë ceremoni, që u mbajt në Amfiteatrin e Gërmisë, ishin dhe kryeministri Albin Kurti; presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi; ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier; i Francës, Olivier Guérot; ai i Gjermanisë, Jorn Rohde; përfaqësues të federatave të sportit të Kosovës e dashamirë të tjerë të sportit.

Ajo theksoi se pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra paraqet kulmin e një pune të palodhur e shumëvjeçare të garuesve e trajnerëve të tyre.

“Ndërsa jemi në prag të Lojërave Olimpike, jemi bërë të gjithë bashkë për t’ua dorëzuar flamurin lojtarëve tanë në Lojërat Olimpike Paris 2024. Lojërat Olimpike na tregojnë të përbashkëtat tona. Është një dëshmi dhe qëndrueshmëri e popullit tonë dhe e aftësisë për të qëndruar në këmbë populli ynë. Në zemër të Francës do të mblidhen më të mirët në këtë olimpiadë. Ju mbani me vete mbështetjen dhe admirim e secilit qytetar dhe në asnjë moment nuk do të jeni vetëm. Zemra e çdo qytetari të Kosovës do të rrahë me të juajën”.

“Sot e dorëzoj flamurin e Kosovës me krenari dhe me shpresë plot. Garuesit të cilët na përfaqësojnë në këtë olimpiadë, suksesi i arritur nuk është vetëm arritje personale, po arritje e vendit. Përpjekjet tuaja do të hapin rrugën për të tjerët për të ndjekur ëndrrat. Garoni me nder dhe jepni më të mirën tuaj dhe mbani mend që është një dëshmi e qëndrueshmërisë së krejt popullit”, u shpreh Osmani.

“Flamuri jonë përfaqëson shpirtin, forcën dhe unitetin e shtetit tonë të ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve. Suksese e u kthefshi faqebardhë!”, u shpreh presidentja.

Edhe kryeministri Albin Kurti ka thënë se arritjet e sportistëve në lojërat verore, janë edhe suksesi i Kosovës.

Sipas tij, rruga drejt Parisit nuk ka qenë e lehtë ndërsa e vlerësoi këtë si moment historik.

“Kënaqësi e veçantë e imja që jam para jush në një moment historik. Këtu para nesh kemi 9 sportistë që do të shkojnë në garat olimpike. Arritjet e secilit prej jush që na kanë lakmi anë e mbanë botës, tri medaljet e arta olimpike janë standardet që ju e keni vënë, në këtë olimpiadë ndihuni sikur në shtëpi. Sportistja jonë, boksierja Donjeta Sadiku do të na përfaqësojë në boks në olimpiadë. Të gjithë ju keni ndjekur ëndrrën; rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por e kemi dëshmuar që kur jemi bashkë mund të kalojmë çdo sfide”.

Sipas tij, Kosova ka një super-ekip. “Jemi të sigurt që do të bëni më të mirën tuaj. E gjithë Kosova është me ju! Mos harroni që çdo fitore që arrini është fitore për të gjithë ne”, ka thënë Kurti.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi së për herë të tretë Kosova po merr pjesë në lojëra olimpike.

“Ne ndodhemi në prag të momentit magjik. Për herë të tretë, Kosova merr pjesë në Olimpiadë. Ky udhëtim është me shumë sakrifica. Po shkojmë në Parisë me një ekip të trajnuar, gjashtë prej tyre kanë përmbushur normat”.

“Pjesëmarrja jonë është një dëshmi që Kosova është këtu dhe do të qëndrojë për të treguar talentin. Mbështetja jonë nuk është vetëm financiare, por edhe morale. Këtë vit ne synojmë të lëmë gjurmë të reja. Sportistët tanë janë të përgatitur mirë”, ka thënë Krasniqi, raporton EO.

Trajnerja e ekipit që do ta përfaqësojë Kosovën në Paris të Francës, Majlinda Kelmendi tha se ndihet krenare që ka qenë e para që ka sjellë medaljen e parë të artë në Kosovë.

“Ka qenë kënaqësi që ta përfaqësoj Kosovën tash e 20 vjet, për t’ia sjellë medaljen e parë të artë për Kosovën. Jam e lumtur që Kosova nuk ka mbetur vetëm me një medalje të artë, por kemi edhe dy të tjera. Ju dëshiroj shumë suksese sportistëve”.

Porosia e saj për sportistët ishte që ta shijojnë këtë moment. “Le ta shijojnë, me të vërtetë është e shkurtër, por e shoh tek unë që realisht më mungojnë ato momente”, tha Kelmendi.

Kosova në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, që startojnë më 26 korrik, do të përfaqësohet nga nëntë sportistë: Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu, Akil Gjakova, Loreana Kuka, Donjeta Sadiku, Gresa Bakraçi, Hana Beiqi dhe Adell Saboviq.

Të ngjashme