Osmani informon Komisionin për përdorimin e parasë publike nga institucionet

Prishtinë | 02 Shk 2017 | 15:19 | Nga

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike i Kuvendit të Kosovës kanë zhvilluar një vizitë pune në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) me qëllim të njohjes më për së afërmi me ambientin e punës së auditorëve të jashtëm si dhe kapacitetet dhe burimet që kjo Zyrë ka në dispozicion për të përmbushur detyrat dhe mandatin e vet kushtetues.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka informuar anëtarët e Komisionit për aktivitetet audituese në kuadër të realizimit të planit vjetor të auditimit, objektivat strategjike të ZKA-së, zhvillimin e kapaciteteve audituese të ZKA-së si dhe përgatitjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare të institucioneve supreme të auditimit si ONISA dhe EUROSAI.

Osmani ka theksuar edhe një herë që ZKA-së, përmes auditimeve profesionale, do t’i ofrojë Kuvendit informata të sakta dhe të qarta lidhur me përdorimin e parasë publike nga administrata e shtetit dhe do të ndihmojë Qeverinë në përmirësimin e efikasitetit të ofrimit të shërbimeve publike në nivel kombëtar dhe lokal.

Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike kanë vlerësuar lartë punën e ZKA-së dhe kanë përgëzuar auditorët e jashtëm për profesionalizimin që kanë treguar në vazhdimësi.

Ata kanë theksuar se puna e ZKA-së i ndihmon Kuvendit për të marrë vendime të drejta dhe për të mbajtur Qeverinë llogaridhënëse.

Anëtarët e Komisionit kanë shprehur interesimin që të kenë takime më të shpeshta me ZKA-në gjatë këtij viti në mënyrë që të rritet cilësia e punës së Komisionit në rishikimin e raporteve të auditimit dhe në këtë mënyrë të rritet llogaridhënia dhe përgjegjësia në administratën publike.

Gjatë takimit u zhvillua diskutim i hapur në mes të anëtarëve të Komisionit dhe menaxhmentit të ZKA-së, me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit, koordinimit të dorëzimit të raporteve të auditimit në Kuvend dhe shqyrtimin e tyre me kohë nga Komisioni.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme