Osmani: Istogu na dha prijësin e shtetit tonë të pavarur, Rugovën

Prishtinë | 01 Tet 2019 | 16:26 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja e LDK-së për Kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë tubimit në Istog, ka thënë se vota e qytetarëve për LDK-në në zgjedhje, do t’u japë mësim atyre që e vunë në pikëpyetje projektin e Rugovës, njofton Klan Kosova.

Ajo tha se është nder i madh të jetë në Istog, për shkak se është vendlindja e ish-presidenti Rugova.

“I kemi dhënë shumë këtij vendi, por Istogu na ka dhënë prijësin e shtetit tonë. Shpreh respekt të thellë për familjen e Shaban Manajt, familjen e Fadil Feratit, familjen e heroit tonë Izet Demajt i cili ra në detyrë duke luftuar krimin dhe korrupsionin dhe të gjithë ju rugovistë sepse ky është emri më i mirë me të cilin sot mund t’ju thërras”.

“Me 6 tetor, me votën tuaj do t’ju jepni një mësim të mirë e vlefshëm atyre që e vunë në pikëpyetje projektin e Rugovës, që vënë në pikëpyetje ekzistencën tonë. Kosova nuk ka më kohë për të humbur, LDK duhet ta zë kohën që na ka humbur deri tani dhe kohën të cilën ata e shfrytëzuan shtetin, qeveria jonë do të garantojë të ardhme të ndritshme”.

“Qeveria jonë do ta jetojë amanetin për ta jetësuar Kosovën dhe të ardhmen e saj, me duar të pastra të dijshëm dhe vizionar dhe jo mbledhësve të haraçit e grabitësve të djersës suaj. Qeveria e LDK është ajo që keni kërkuar për një kohë të gjatë, me njerëz me duar të pastra e të pashantazhuara. 7 tetori do të jetë dita e angazhimit tonë të parë për ta shpërblyer besimin tuaj”.

“Kosova jonë e dashur nuk do të udhëhiqet më nga politikanë të korruptuar, ngulja e thikës pas shpine nuk do të jetë vlerësimi që ne u japim shpëtimtarëve tanë, atyre të Kosovës. Me 7 tetor, fillon rikthimi i dinjitetit të qytetarëve të Kosovës dhe rikthimi  i madh i shtetësisë dhe shkëlqimi i Republikës sonë. Atë ditë fillon ç’kapja e shtetit, fillon kthesa e madhe e Kosovës në të cilin secili qytetarë do të trajtohet i barabartë”.

“Këtë mllef të krijuar ndër vite, ata nuk do ta mbajnë me të ngulfatur, ngase LDK e ka bërë të pathyeshëm vullnetin e qytetarëve për ndryshim, për një vend që ofron mundësi dhe shpresë për rininë tonë në vend të izolimit dhe vuajtjes. Ata që sunduan deri dje po e ndjenjë fundin e vet të pashmangshëm, prandaj të frikësuar me paratë tuaja po e kërkojnë shpëtimin. Po shpenzojnë miliona euro për të ndërtuar shpifje ndaj nesh e për ta shpëtuar lëkurën e tyre, por nuk do t’ja dalin sepse ne besojmë vetëm në të vërtetën”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme