Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe nënkryetarët u takuan me delegacionin e Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC)
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe nënkryetarët e këtij institucioni: Arbërie Nagavci, Memli Krasniqi, Fikrim Damka dhe Slavko Simiq, pritën në takim me delegacionin e Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) të përbërë nga Caleb McCarry dhe Brian Martalus, nga zyra e DFC në Uashington, John Jovanoviq, shef i zyrës së DFC në Beograd dhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.
Delegacioni i DFC-së e njoftoi Kryesinë e Kuvendit mbi fushëveprimtarinë e vet si dhe planet e tyre për Kosovën pas nënshkrimit të zotimeve për normalizimin ekonomik në Uashington.
Kryetarja Osmani i falënderoi për vizitën, duke e vlerësuar angazhimin e SHBA-ve në gjitha proceset vendimtare në Kosovë. Ajo potencoi rëndësinë e përfshirjes së Kuvendit në këtë proces si vendimtar për realizimin e projekteve investuese, ngase të gjitha marrëveshjet me implikime financiare do të kërkojnë ratifikim edhe në Kuvend.
“Mbështetja e SHBA-va ke qenë historikisht kyçe në çdo proces vendimtar për vendin tonë. Mirëpresim faktin që e keni kuptuar qartë rëndësinë e përfshirjes së Kuvendit në këtë proces dhe duke vlerësuar lartë çdo projekt investues që do mbështetet nga ana juaj, shpresojmë që këto projekte do realizohen duke pas konsideratë të lartë për fuqizimin ekonomik të grave, aplikimin e praktikave më të mira për mbrojtjen e mjedisit dhe duke kontribuar në lehtësimin dhe adresimin e dëmeve të shkaktuara drejtpërdrejt nga pandemia”, ka deklaruar zonja Osmani.
Kryetarja dhe disa nga nënkryetarët e Kuvendit shtruan nevojën për transparencë në projektet e DFC-së, si dhe sqarim të strukturës dhe instrumenteve të financimit. Po ashtu, ata kërkuan sqarime lidhur me studimin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit.