Presidentja Vjosa Osmani e Kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te Memoriali për të Pagjeturit, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, raporton Ekonomia Online.
Presidentja Osmani, tha se shteti serb nuk po e zbaton marrëveshjen e arritur në Bruksel për hapje të arkivave.
Mes tjerash, Osmani ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare ta shtojë trysninë ndaj Serbisë që t’i dorëzojë të zhdukurit me dhunë.
“Të zhdukurit me dhunë janë plaga dhe dhimbja më e madhe e vendit tonë. Në fillim të këtij viti u arrit një marrëveshje në Bruksel për t’i hapur Serbia arkivat për të zhdukurit, dhe përkundër kërkesën sonë që të bëhet në fillim të qershorit një kërkesë në drejtim të presidentit Vuçiq, fatkeqësisht Serbia vazhdon ta shkelë marrëveshjen”, u shpreh Osmani.
Presidentja kërkoi që komuniteti ndërkombëtar të mendoj për nënat që ende shkojnë te varri i zbrazët, e për fëmijët që ende nuk e din se ku i kanë prindërit e tyre.
“I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe miqve aleatë që të mendojnë për prindërit dhe familjarët që ende të zhdukurit i kanë në varrezat e Serbisë. Të mendojnë për nënën që e ka varrin e zbrazët, të mendojnë për fëmijët që ende nuk e dinë ku e kanë babain, që Serbia t’i dorëzojë të pagjeturit”.
“Të mendojnë për faktin që edhe 25 vite pas lufte në krye të Serbisë janë po ata që shkaktuan zhdukjen me dhunë të më të dashurve tanë. Shpresojmë që dialogu në Bruksel nuk do të jetë më proces që Kosovës do ti bëhet trysni, popullit të Kosovës do ti bëhet padrejtësi ndërkaq fytyra e Vuçiqit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive do të vazhdoj të shpërlahet padrejtësisht”, tha Osmani.