Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe u.d se Presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se Kongresi i Manastirit shënon njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare.
Osmani ka thënë se duk unifikuar alfabetin delegatët e Kongresit unifikuan popullin shqiptar rreth një identiteti të përbashkët.
Postimi i plotë i saj:
Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit, 112-vjetorin e të cilit e kujtojmë këto ditë, shënon njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë tonë kombëtare. Në thelb ngjarje kulturore, ai u shndërrua shpejt në njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme politike.
Duke e unifikuar alfabetin, delegatët e tij e unifikuan popullin shqiptar rreth një identiteti të përbashkët dhe e riorientuan atë përfundimisht drejt kulturës e qytetërimit perëndimor, pjesë e të cilit qemë prej shekujsh.
Sot i përulemi vizionit të delegatëve të Kongresit. Vepra e tyre për përbashkimin e shqiptarëve rreth vlerave identitare dhe qytetërimit perëndimor duhet të jetë udhërrëfyes i përhershëm për ne.