Osmani: Kosova qëndron fuqishëm me SHBA-në dhe Presidentin Trump kundër regjimit narkoterrorist të Venezuelës

Prishtinë | 03 Jan 2026 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentit amerikan, Donald Trump, në mbështetje të veprimeve të tyre kundër regjimit narkoterrorist në Venezuelë, duke theksuar rëndësinë e lidershipit amerikan në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë.

Në një postim në platformën X, Osmani ka vlerësuar rolin e SHBA-së në përballjen me regjimin e presidentit venezuelian, Nicolas Maduro, duke theksuar se këto veprime shërbejnë jo vetëm për sigurinë e Amerikës, por edhe të botës.

“Kosova qëndron fuqishëm me Shtetet e Bashkuara dhe Presidentin @realDonaldTrump në mbështetje të veprimeve të tyre kundër regjimit narkoterrorist të Venezuelës”, ka shkruar Osmani.

Presidentja ka theksuar se presidenti Trump ka treguar lidership të fortë duke u përballur me atë që ajo e cilëson si narkoshtet.

“Presidenti Trump qëndroi në krah të popullit të Venezuelës dhe u përball me narkoshtetin e Maduros — duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelët dhe krimi i organizuar. Kjo është ajo se si duket forca dhe lidershipi amerikan”, ka shkruar ajo.

Osmani ka theksuar se populli i Venezuelës meriton liri dhe demokraci, duke paralajmëruar për rrezikun që paraqesin narkoterrorizmi dhe sundimi autoritar.

“Populli i Venezuelës meriton liri, demokraci dhe një të ardhme të qeverisur nga ligji, jo nga frika. Narkoterrorizmi dhe sundimi autoritar kërcënojnë paqen shumë përtej kufijve kombëtarë”, ka shkruar Osmani.

Të ngjashme