Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar në 22-vjetorin e rënies heroin Ilir Konushevci.
Sipas saj, 22 vjet pas vrasjes së tij edhe nuk është dënuar askush, prandaj ajo ka bërë thirrje që të zbardhet vrasja e tij.
“Në prag të çlirimit të Kosovës, Ilir Konushevci u bë lajmëtar i lirisë. Ai u vra në misionin e tij fisnik përkrah mjekut tropojan Hazir Mala, teksa po sillnin pushkët e lirisë dhe në kohën kur përpjekja për lirinë e vendit jo vetëm që kishte marrë formë, por edhe ishte afër”.
“U vra në pritë në Bajram Curr, e fare pak para se të shkelë në Kosovë, në tokën për të cilën nuk rreshti së punuari kurrë! Sot, 22 vjet më pas, enigma e vrasjes së tij thërret ndërgjegjen tonë për ta zbardhur rastin, me besimin se liria pa drejtësi nuk ka kuptim!
“Sot Kosova është e lirë, e Iliri hero! I përjetshëm qoftë kujtimi për Ilirin dhe të gjithë heronjtë e Kosovës!”.