Osmani kujton masakrat në Pastaselë dhe Burim: Pa drejtësi, nuk ka paqe të qëndrueshme

Prishtinë | 31 Mar 2026 | 12:26 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrat e kryera më 31 mars 1999 në Pastaselë të Rahovecit dhe në Burim të Malishevës, duke i cilësuar si akte të rënda kundër njerëzimit dhe kujtesës kolektive.

Në një postim, Osmani rikujtoi se në Pastaselë u vranë dhjetëra civilë të pafajshëm, duke theksuar përmasat e mizorisë së regjimit serb ndaj popullatës civile shqiptare.

“Më 31 mars 1999, në Pastaselë të Rahovecit, 106 civilë të pafajshëm u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor. Ishte një akt i qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli. 13 persona mbijetuan që ta mbajnë mbi supe kujtesën dhe të vërtetën që nuk duhet të harrohet kurrë”, ka shkruar Osmani.

Ajo po ashtu theksoi se krime të rënda u kryen edhe në Burim të Malishevës në të njëjtën ditë.

“Makineria vrasëse e Serbisë, të njëjtën ditë në Burim të Malishevës, ekzekutoi brutalisht 42 civilë”, ka shtuar ajo.

Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e drejtësisë për viktimat, duke theksuar se pa të nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.

“Pa drejtësi, nuk ka paqe të qëndrueshme. Qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët për liri!”, përfundoi Osmani.

Të ngjashme