Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, ka mbajtur tubim elektoral në shkollën “Zenel Hajdini”në Kodrën e Trimave, raporton Ekonomia Online.
Osmani tha se ka ardh fundi i të korruptuarve që për 20 vjet gënjyen qytetarët e Kosovës.
“Të tjerët kanë me dal më të dëshpëruar sa që e kanë menduar ndonjëherë. Kjo lagje gjatë viteve ka ndërtuar shembull të rezistencës dhe shembull të sakrificës. Kjo lagje i dha aq shumë Kosovës dhe ju e dëshmuat jo vetëm në vitet më të rënda por e dëshmuat duke i qëndruar pranë LDK-së dhe i treguat Kosovës se cila është partia e vetme që kujdeset për qytetarët. Lagja juaj ka kandidatë të jashtëzakonshëm duke filluar nga Haki Demolli , Kumrije Sahiti si simbol i durimit në LDK dhe simbol i një familje që ka përkrahur gjithë LDK-në”, tha Osmani.
“Mu më janë bashkuar një ekip e madhe e njerëzve atdhetar që i kanë qëndruar në krah Presidentin Rugova. Ju rini jeni të bindur që të korruptuarit nuk kanë me pasë më vend në institucionet e Kosovës sepse që 20 vite gënjyen dhe e kanë keqpërdorur besimin tuaj. Nuk ka gjë që e prish festën tonë sepse ne jemi në festë sepse më në fund Kosova po çlirohet nga të korruptuarit dhe më në fund po kthehet miqësia me SHBA-në”.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se LDK-ja nuk do të bëjë kurrë koalicion me PDK-në ndërsa partive të tjera do t’i vendosin kushte për koalicion.
“Ju qytetar të “Kodrës së Trimave” keni luajtur një rol historik që askush s’mund ta mohojë dhe ne do të fitojmë në Pejë , Prizren , Gjilan , Podujevë , Pejë dhe në fund të tërë Kosovën sepse LDK-ja e meriton. Ne jemi të shtrirë në të gjithë Kosovën dhe presim përkrahjen tuaj. Kësaj radhe duhet të fitoj me çdo kusht LDK-ja. Kjo pjesë është historike sepse ju keni mbajt arsimin kur janë mbyll shtëpitë dhe ju e keni mbajt shëndetësinë kur janë mbyll spitalet dhe ju jeni degë që nuk ka humbur kurrë por ka fituar gjithmonë. Sepse vetëm fitorja e lidhjes demokratike na bënë fitues në krye me Vjosën. Së pari duhet të fitojmë si LDK dhe pastaj të votojmë kandidatët që ne i përkrahim”.
“Vjosa është emblema jonë që ne të qeverisim drejt. Kundërshtarët tanë do të manipulojnë edhe sonte por ne këto manipulime do ti zhveshim me 6 tetor. LDK-ja nuk do të bënë koalicion me PDK-në dhe këtë ta ketë të qartë e gjithë Kosova. LDK-ja nuk i ka garantuar koalicion asnjë partie sepse me të tjerët do të bisedojmë dhe do ti vendosim kushte duke ofruar miqësinë me Amerikën dhe duke zhvilluar ekonominë”.
Kryetari i degës së LDK-së në “Kodrën e Trimave”, Ismet Beqiri, tha se LDK mundet dhe ka njerëzit më të përgatitur për të qeverisur këtë vend.
“Sheshet dhe ambientet i kemi shndërruar në salla sepse jemi shumë. Vranjevci është i joni dhe i është i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me ardhjen e qeverisë së re sytë do të drejtohen në këto lagje dhe që Prishtina pas dy vitesh ti kthehet LDK-së. Prezenca juaj e madhe dëshmon se sa e madhe është LDK-ja në “Kodrën e Trimave” dhe i dërgojmë një mesazh liderëve tanë të lodhtë sepse ata në Kodrën e Trimave janë parti sezonale. Qytetarët e kësaj lagje janë bërë si mish e thua. Kjo lagje është e sakrificës dhe rezistencës të pushtuesit serb. 6 Tetori do të shënojë fundin e shumë hajnave dhe shumë fajdexhinjve. LDK din dhe mund dhe ka njerëzit më të përgatitur për të qeverisë këtë vend”.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se ka ardhë koha që njerëzit mashtrues të shkojnë në shtëpi.
“Me lajmë të rreme po mendojnë se njerëzit si Isa Mustafa po i mashtron. Ka ardh koha që me i dërgu në shtëpitë e tyre. Kemi një ekip i cili me kryetarin është ndërtuar shumë i madh”, tha ai, raporton EO.