Osmani, Lajçakut: Disa dispozita të Asociacionit mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë

Prishtinë | 30 Jan 2024 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Europian, Miroslav Lajčák.

Siç njofton Presidenca, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë ku Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës si palë konstruktive në këtë proces. Ajo theksoi se marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 dhe aneksi i Ohrit i 18 marsit 2023 duhet të zbatohen në plotëni.

Ndërkaq, sa i përket draftit të statutit të Asociacionit, Osmani ritheksoi se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e këtij akti me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjersa po ashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, “të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”.

“Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në këtë drejtim, ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, duke miratuar edhe udhëzimin administrativ, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, u tha në njoftim.

Të ngjashme