Ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi nga BE-ja, Miroslav Lajçak, është pritur në takim nga presidentja Vjosa Osmanit, raporton Ekonomia Online.
Gjatë takimit, siç thuhet në njoftimin e presidencës, u diskutua për përpjekjet për shtensionimin e situatës në veri por edhe për nevojën prë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
“Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje, bëhet e ditur se Osmani i tha Lajçakut se grupet dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it dhe të EULEX-it duhet të përballen me drejtësinë.
“Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon”, thuhet në njoftim.
Lajçak pas Osmanit është ka mbajtur takim edhe me kryeministrin Albin Kurti, në përpjekje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.