Kandidatja nga Lidhja Demokratike e Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, ka shpalosur programin për arsim në Konventën e organizuar nga ky subjekt politik.
Ajo ka thënë se LDK ka hartuar një program për zhvillimin e arsimit për 10 vjetët e ardhshëm.
“Ka një kohë të gjatë që kam insistuar që programi i LDK-së të fokusohet në arsim dhe shëndetësi. Do të kemi investime shumëfish më të mëdha sesa që i kemi pasur deri më tani. Siç e dini, LDK ka lindur nga njerëzit e dijes dhe është rritur së bashku me mësimdhënësit dhe nxënësit gjatë viteve të 90”.
“Asokohe LDK-ja ka mobilizuar tërë popullin në mbrojtje të fëmijëve dhe Kosovës. Atë shembull ne duhet ta bartim edhe sot. Sot arsimi kosovar është katandisur shumë keq. Kemi ngelur të fundit në Europë sipas rezultatit PISA-s, 70 për-qind të të rinjve tanë konsiderohen analfabetë. Fëmijët e të rinjtë po vuajnë nga pasojat e keqqeverisjes dhe abuzimit në fushën e arsimit”.
“Kemi hartuar një program për zhvillimin e arsimit për 10 vitet e ardhshme. Qeveria ime do të shtojë kapacitetet e institucioneve parashkollore për 10 fish. Fëmijët sipas planit tonë do të mund të socializohen dhe të mësojnë më mirë, ndërsa prindërit do të mund të kontribuojnë në mirëqenien e familjes. Gjithashtu shkolla do të fuqizohet dhe do të kthehet sërish në qendër të komunitetit”.
“Arsimi profesional do të shndërrohet prej problemit kryesorë -në shtyllë të punësimit dhe zhvillimit. Do të investojmë në shkencë dhe do të ndërtojmë kapacitete. Emëruesi i përbashkët i këtyre veprimeve do të jetë de-politizimi i arsimit, rritja e dukshme e investimeve dhe angazhimi i të gjithë ekspertëve pa dallime partiake”.
“Milionat dhe ekspertët nuk mund të bëjnë asgjë pa ndryshimin e të gjithë neve. Ju ftoj edhe njëherë për mobilizim sikur në vitet e 90-ta në mbrojtje të arsimit kosovar. Të mobilizohemi dhe të bashkohemi rreth arsimit sepse është arsimi që do të zhvillojë këtë vend”.