U.d. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbajti sot ligjëratë online me studentët e RIT Kosovo. E ftuar si folëse në kuadër të lëndës: Politikat Energjetike, u.d. Presidentja Osmani foli për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, zhvillimet në sektorin e energjisë dhe obligimet në këta dy sektorë karshi marrëveshjeve rajonale e ndërkombëtare, në veçanti karshi integrimit evropian.
U.d. Presidentja Osmani theksoi që për mjedisin nuk duhet folur vetëm në ditë të veçanta, por që kjo është një temë që duhet të bëhet prioritet në nivel nacional, si dhe duhet të jetë brengë e çdo qytetari të Kosovës ngaqë ka të bëjë drejt për drejt me ruajtjen e shëndetit tone, por edhe me të ardhmen evropiane.
Ndër të tjera, u.d. Presidentja Osmani tha:
E ardhmja është padyshim e gjelbërt, mirëpo ne duhet të sigurohemi për një mobilizim sistematik dhe planifikim strategjik të sektorit të energjisë, duke u përkujdesur për mbrojtjen e mjedisit, duke garantuar sigurinë e furnizimit, dhe duke respektuar obligimet tona karshi marrëveshjeve rajonale e ndërkombëtare.
Ajo tutje theksoi se Marrëveshja e Gjelbërt Evropiane tashmë konfirmon që e gjithë Evropa është orientuar drejt transicionet energjetik dhe që të ardhmen dhe zhvillimin ekonomik e sheh gjithmonë në harmoni të plotë me mjedisin. Andaj, duhet të sigurohemi që Kosova, si vend që aspiron integrimin në BE, të bëjë përgatitjet e duhura për sfidat që na presin në këtë rrugëtim.
Studentët e RIT Kosovo mirëpritën ligjeratën e znj. Osmani dhe shprehën interesim për çështje të shumta, siç është liberalizimi i tregut energjetik, taksat e karbonit, investimet në hidrocentrale të vogla dhe dëmi në mjedis, përdorimi i qymyrit nëpër shtëpija, nevoja për investime në fushën e efiçiencës së energjisë etj.
Presidenti i RIT Kosovo, Dr Kamal Shahrabi dhe ligjëruesja e lëndës, znj. Shqipe Neziri-Vela falënderuan u.d. Presidenten Osmani për kontributin e saj në këtë ligjeratë. Ata e vlerësuan lart angazhimin e saj për vetëdijësim të qytetarëve dhe të institucioneve mbi këto tema, si dhe përkushtimin për një orientim të ri në politikat mjedisore dhe energjetike.