“Kjo mbështetje kaq e madhe për LDK-në në Ferizaj dhe në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës, është garanci e fitores sonë. E kur fitojmë ne, fiton Kosova. Shpëton prej krimit e korrupsionit, prej zhvatjes së buxhetit dhe prej shantazhit ndaj bizneseve”, tha kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani.
Ajo potencoi se LDK-ja do ta fitojë mbështetjen e shumicës së qytetarëve të Ferizajt, sikur edhe gjithë Kosovën për ta dërguar PDK-në në opozitë. “Me PDK-në në opozitë, ç’kapet shteti, ndërsa organeve të drejtësisë u mundësohet ta zbatimi i rendit dhe ligjit”, tha kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani.
Ajo shtoi se Programi i LDK-së mbështetet në ekspertizë, ndërsa oponentët tanë po provojnë ta blejnë besimin e qytetarëve. “Ata po synojnë ta marrin besimin e qytetarëve të Kosovës me para. Me para të vjedhura po duan t’i blejnë votat e qytetarëve të Kosovës. Jam e bindur se nuk do t’ia dalin ta blejnë vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe perspektivën e fëmijëve tanë”, tha kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani.
Duke folur për planet për copëtimin e Kosovës, Vjosa Osmani tha se LDK-ja nuk e diskuton me askënd, për asnjë çmim, shtetësinë, sovranitetin e integritetin territorial dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës. “Ne mund ta bëjmë këtë sepse ne nuk jemi të shantazhueshëm. Ne nuk japin tokë për asnjë interes personal. As për lëkurën e askujt. Prandaj, më 6 tetor, përcaktohuni për LDK-në”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre.
Duke shpalosur Programin zhvillimor, Osmani tha se ka hartuar program konkret zhvillimor për Kosovën, me prioritete të qarta. “Zhvillimin ekonomik nëpërmjet mbështetjes së sektorit privat që gjeneron punë e punësim. Përkrahjen e biznesit privat, siç janë ndërmarrësit e fshatit Greme që po eksportojnë edhe në vendet e Bashkimit Evropian dhe inkurajimi i diasporës për të investuar në Kosovë”, tha Vjosa Osmani.
Ajo shtoi se Lidhja Demokratike e Kosovës, është bashkuar si kurrë më parë për t’u dhënë qytetarëve të Ferizajt dhe krejt Kosovës, qeverisjen që ata meritojnë, qeverisjen që u shërben me nder, i trajton me dinjitet dhe që bashkërisht me qytetarët, do ta ndërtojë të ardhmen e sigurt të atdheut tonë.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se kanë mbetur edhe pak ditë deri në fitoren e madhe të LDK-së dhe Vjosa Osmanit.
“Ata që i kanë shti duart në kuletë të popullit dhe që e kanë rrënuar shtetin duke u thirrur në besim qytetar nuk e kanë më mbështetjen e Ferizajt e as të Kosovës. Veç edhe 5 ditë kanë mbetur, ditën e 6-të kemi me punu dhe mos keni frikë sepse ata nuk kanë para me na ble, sepse nuk ka njerëz që ju shkojnë pas”, ka thënë Haziri.
Kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Sfarça, tha se pas 6 tetorit me fitoren e LDK-së dhe Vjosa Osmanit, Kosova do të fillojë të kthehet për së mbari pas një qeverisje të keqe 2 vjeçare që e vuri në rrezik edhe ekzistencën e shtetit.