Zyra Kombëtar e Auditorit (ZKA), ka gjetur shkelje të ndryshme në institucionet qendrore, lokale dhe në ndërmarrjet publike, në auditimin e tyre të bërë për vitin 2019.
Shqetësuese për auditorin është gjendja e ndërmarrjeve publike, që ofrojnë shërbime për qytetarët si në fushën e telekomunikimit dhe shërbimeve tjera publike si ujit, menaxhimin e mbeturinave dhe ndërmarrjeve tjera në fushën e ambientit.
Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se nga 14 ndërmarrje publike sa janë audituar për 13 prej tyre kanë qenë të detyruar të japim opinion negativ.
Ai ka thënë se shumica e ndërmarrjeve operojnë me humbje, ndërsa një pjesë e vogël e tyre me fitime simbolike.
“Gjendja më keq qëndron të ndërmarrjet publike, ku nga 14 ndërmarrje publike që kemi audituar për 13 prej tyre jemi detyruar të japim opinion negativë. 6 ndërmarrje publike kanë rreth 30 milionë euro borxhe të pashlyera dhe operojnë më humbje, ndërsa të tjerat 8 prej tyre nëse i mbledhim kanë vetëm një fitim simbolik”, ka thënë Osmani.
Ai ka thënë se ndër të gjeturat serioze është edhe planifikimi jo i duhur i buxhetit nga Qeveria .
“Qeveria ka planifikuar që do të ketë një buxhet rreth 37 milionë deficit buxhetor, pra qe do të ketë më shumë shpenzime se sa që ka kapacitetet për t’i inkasuar të hyrat derisa në fund të vitit kemi pasur një rezultat tjetër ku buxheti është shpenzuar 96.8 për qind dhe janë 70 milion euro suficit që kanë mbet në bilancin bankar me rastin e mbylljes se llogarive më 31 dhjetor të viti kalendarik”, ka thënë Osmani.
Sipas tij, shteti vazhdon të ketë ngecje sa i përket edhe arkëtimit dhe detyrimeve, ku vlera detyrimeve që ka shteti ndaj qytetarëve dhe bizneseve është rreth 6 milion euro.
Osamni ka thënë se institucionet ngecin edhe sa i përket zbatimit të rekomandimeve që jep Zyra e Auditorit Kombëtarë. Sipas tij, në këtë aspekt më keq qëndron niveli lokal, raporton EO.
“Kemi dhënë 951 rekomandime një vit më herët, vetëm 40 për qind e tyre janë zbatuar plotësisht, 36 për qind nuk janë prekur fare dhe pjesa tjetër janë në proces”, është shprehur ai.
Rishikimi i buxhetit për vitin 2020, ka prekur ZKA-në. Osmani ka thënë se me rishikim të buxhetit ka prekur një projekt të rëndësishëm të këtij institucioni.
“Miratimi i buxhetit për vitin 2020 nuk ka përfshirë disa elemente të rëndësishme për zbatimin e planit tonë strategjik”.
“Ka pasur një shkurtim të buxhetin shumë të rëndësishëm, ka të bëjë më një souftwer i cili rrit sigurinë në auditim e zvogëlon kohën e nevojshme ne auditim, rrite transparencën, por edhe një nga masat më rëndësishme për eliminim e gabimeve të punës tonë”, ka thënë Osmani.