Osmani nderohet në qytetin e Papëve: Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovën me Selinë e Shenjtë

Prishtinë | 14 Dhj 2025 | 17:55 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se mbrëmë në Anagni, qytetin e Papëve në Itali u nderua me Çmimin Bonifacio VIII nga Akademia Bonifaciana.

Ajo tha se ky çmim iu nda asaj si “njohje për angazhimin institucional për paqen, si dhe bashkëpunimin ndërkulturor dhe ndërfetar”.

“Në frymën e vlerave që qëndrojnë në themelet e kësaj Akademie prestigjioze, e cila vendos primatin tek drejtësia, dinjiteti dhe paqja, ky vlerësim, i cili më herët i ishte ndarë edhe Papa Gjon Palit II, forcon përkushtimin tim ndaj këtyre vlerave të përhershme”, shkroi Osmani në një postim në Facebook.

Po ashtu, Osmani publikoi edhe një video të fjalimit të saj në atë ceremoni.

Në fjalimin e saj, e para e shtetit, deklaroi se kosovarët kanë nxjerrë mësimin jetik se “paqja kërkon që viktimat të dëgjohen dhe padrejtësia të përballet, jo të injorohet”.

Ajo e përmendi lidhjen e fortë mes presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Selisë së Shenjtë.

“Prandaj sot dëshiroj të kujtoj lidhjen e thellë mes presidentit tonë historik, babait themelues të shtetit, Dr. Ibrahim Rugova, dhe Selisë së Shenjtë, si edhe me Italinë. Presidenti Rugova e konsideronte Papën Gjon Palin II si një mik të vërtetë të Kosovës, një udhëheqës vizionar që e kuptoi vuajtjen tonë dhe zgjodhi të fliste atëherë kur kishte më së shumti rëndësi. Ai na mësoi se rezistenca pa urrejtje nuk është dobësi, por forcë e rrënjosur në vetë qytetërimin. Në pikëtakimin mes besimit dhe lirisë, Presidenti Rugova ndërtoi një urë mes vendit tonë dhe një bote që besonte në të drejtën e popujve për të jetuar të lirë dhe, mbi të gjitha, për të jetuar në paqe”, tha ajo.

Vjosa Osmani gjithashtu foli edhe për figura si heroi kombëtarGjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe humanistja shqiptare e njohur botërisht, Nënë Tereza.

“Në një qytet ku fati i Evropës është gdhendur në gur, është e pamundur të mos kujtohet Gjergj Kastrioti, heroi ynë kombëtar. Shekuj më parë, ai mbrojti themelet e qytetërimit evropian, duke ndihmuar në ruajtjen e besimit dhe vlerave që më pas ndriçuan epokën moderne. Shembulli i tij na kujton të gjithëve se paqja është një mision që duhet mbajtur gjallë çdo ditë, nga çdo brez. Atleta Christi ishte titulli që Selia e Shenjtë ia dha kësaj figure madhore të historisë sonë të përbashkët, të cilin Papa Françesku e vlerësoi si një mbrojtës heroik dhe të guximshëm të vlerave shpirtërore dhe të krishterimit. Nga perandorët ilirë Kostandini i Madh dhe Justiniani I, të cilët e transformuan botën romake duke përqafuar krishterimin dhe duke ngulitur parimet e krishtera në të drejtën romake, te shenjti ilir Shën Jeronimi, përkthimi i Shkrimeve të Shenjta nga i cili i dha botës Biblën në formën e saj të qëndrueshme, e deri te Papa Klementi XI, Papa Albani – këto figura të shquara iliro-shqiptare nga trojet tona, Dardania e lashtë, Kosova e sotme – hodhën themelet mbi të cilat krishterimi lulëzoi dhe qytetërimi perëndimor u zhvillua për mijëvjeçarë”, tha ajo.

Osmani tha se ” trashëgimia e tyre formësoi jo vetëm identitetin shpirtëror të Europës, por edhe arkitekturën morale dhe juridike të botës perëndimore”.

“Të nderuar të ftuar, me këtë rast dëshiroj të kujtoj edhe Shën Terezën, një bijë e popullit tonë dhe një simbol universal i dhembshurisë, paqes dhe njerëzimit. Përmes shërbimit të saj vetëmohues, ajo i tregoi botës se forca e vërtetë qëndron në dashuri, përulësi dhe kujdes për më të pambrojturit. Ajo përfaqëson një urë të thellë morale mes Kosovës, Selisë së Shenjtë dhe vlerave universale të humanizmit. Kosova e sotme, e lirë, demokratike dhe europiane, është gjithashtu një vazhdim i idealeve të saj”, tha ajo.

Ajo theksoi se çmimin po e pranonte “në emër të një populli që ka vuajtur shumë, por që gjithmonë ka zgjedhur shpresën dhe guximin për të parë drejt së ardhmes”.

“Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqësinë mes Kosovës dhe Selisë së Shenjtë, si edhe miqësinë mes Kosovës dhe Italisë”, tha ajo

Të ngjashme