U.d. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka nisur një vizitë dyditore në Shqipëri me një homazh të Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë.
Ajo tha se nisja e vizitës me homazh te varri i heroit kombëtar është në funksion të rikujtimit të strategut që bëri shumë me projektin integrues mesjetar, duke u shndërruar në fortifikatë të civilizimit perëndimor.
Sipas saj, figura e Skënderbeut duhet të shërbejë si model i unifikimit në kohë të trazuara si kjo e sotmja.
“Ai bëri atë që na duhet më së shumti sot. Përveç se ishte gardian i vlerave të qytetërimit perëndimor, ishte edhe model i unifikimit. Ai dikur mbrojti vlerat e qytetërimit, të cilin e synojnë bashkë Kosova e Shqipëria”,.
Ajo tha se figura e Skënderbeut është e përbotshme, siç janë Kosova dhe Shqipëria, të cilat pavarësisht sfidave e pengesave, në një të ardhme do të jenë pjesë e familjes së madhe evropiane.
Osmani do të zhvillojë një vizitë në këtë kompleks nga ora 13:30.
Prej këtu Vjosa Osmani, do të shkojë ta takojë presidentin e Republikës së Shqipërisë Ilir Meta.
Takimi do të zhvillohet në orën 15:30, kurse në orën 17:00 së bashku do të mbajnë një konferencë për media.
Kjo njëherësh është vizita e parë jashtë vendit e ushtruesës së pozitës më të lartë të shtetit.
Nesër pritet të ketë një takim me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë Gramos Ruçin, ku edhe do të mbajë një fjalim rasti në Kuvendin e Shqipërisë.
Ajo po nesër do të bëjë homazhe tek varrezat e dëshmorëve.
Kurse të premten Vjosa Osmani, do të zhvilloj takime me opozitën në Shqipëri.