Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se në shekullin 21, nuk ka asnjë justifikim për asnjë formë diskriminimi, për sulme ndaj njerëzve apo njerëzimit.
Sipas saj, çdo veprim i tillë në vetvete përbën një veprim të drejtuar kundër dinjitetit njerëzor, njofton Klan Kosova.
“Dje u mbajt Forumi i parë Ballkanik kundër Antisemitizmit i organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në partneritet me Lëvizjen Kundër Anti-Semitizmit dhe Agjencinë për Hebrenjtë të Izraelit”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në Facebook.
“Bashkë me Sekretarin e Shtetit të ShBA-ve, Mike Pompeo, Presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, Kryetarin e Parlamentit të Izraelit, Yariv Levin si dhe kryetarët e parlamenteve nga vendet e rajonit, ministra, deputetë, përfaqësues të lartë të Kombeve të Bashkuara, si dhe shumë pjesëmarrës të tjerë nga rajoni dhe bota folëm njëzëri për rëndësinë dhe nevojën për t’i bashkuar forcat për të luftuar antisemitizmin dhe çdo lloj tjetër të diskriminimit”.