Osmani në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar: Fuqia më e madhe është humaniteti

Prishtinë | 03 Dhj 2025 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot qendrën Handikos në Ferizaj, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, ku ka vlerësuar lart punën dhe shpirtin e komunitetit që vepron aty.

Në një postim në Facebook, Osmani tha se nga personat me aftësi të kufizuar mësohet çdo ditë se çfarë do të thotë guxim dhe qëndresë.

“Fuqia më e madhe është humaniteti. Në Handikos, në Ferizaj, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, takova njerëz që me forcën, vullnetin dhe shpirtin e tyre të madh na mësojnë çfarë do të thotë guximi”, shkroi Osmani.

Ajo theksoi se tek njerëzit e Handikos-it sheh përkushtim dhe vullnet që tejkalojnë çdo pengesë.

“Aty ku shumë shohin barrierë, ata ndërtojnë ura, aty ku të tjerët lodhen, ata vazhdojnë përpara me besim,” theksoi Presidentja.

Osmani e quajti Handikos-in “vatër të komunitetit me zemra të mëdha”, duke theksuar misionin e qendrës për të drejtat dhe gjithëpërfshirjen.

“Handikos është vatër e komunitetit me zemra të mëdha që çdo ditë punojnë për të drejta, barazi dhe gjithëpërfshirje. Respekt për personat me nevoja të veçanta, të cilët na e kujtojnë se vlerat më të larta të një shoqërie maten me mënyrën si i trajtojmë ata që kanë më së shumti nevojë për mbështetje”, shtoi Osmani.

Të ngjashme