Osmani në Këshillin Konsultativ për Komunitete: Mbrojtja, siguria dhe dinjiteti i çdo individi, janë prioritet

Prishtinë | 11 Dhj 2024 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Konsultativ për Komunitete, nën udhëheqjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur mbledhjen konstituive me përbërjen e re, raporton Ekonomia Online.

Sipas Presidentes Osmani, Këshilli Konsultativ për Komunitete është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët.

Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani, theksoi përkushtimin e saj të palëkundur për të siguruar që çdo qytetar – pa dallim etnie, feje apo gjuhe – të ndihet pjesë e vlerësuar dhe aktive e shoqërisë së Kosovës.

Presidentja Osmani vuri në dukje arritjet kryesore të këtij Këshilli përgjatë këtij viti, duke ofruar mbështetjen e plotë në përmbushje të objektivave.

Në fjalimin e saj ndër të tjera, Presidentja Osmani ripohoi prioritetin e Presidencës për ta mbrojtur sigurinë dhe dinjitetin e çdo individi, duke siguruar që asnjë qytetar të mos margjinalizohet apo diskriminohet.

“Një Kosovë e sigurt për fëmijët tanë në një botë ku siguria çdo ditë e më shumë rrezikohet nga forca të errëta dhe destabilizuese është një synim që na bashkon të gjithëve. Për Presidencën, ky është një prioritet dhe një angazhim i përditshëm. Ne duhet të ecim besimplotë drejt integrimit, qoftë brenda vendit, qoftë në proceset euroatlantike”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në përfundim të fjalës së saj, Presidentja nënvizoi se fuqizimi i komuniteteve është një përgjegjësi institucionale dhe një angazhim i drejtë që fuqizon shtetin tonë.

Të ngjashme