Osmani në Poloni: Kosova, që ka kaluar përmes tmerreve të luftës dhe gjenocidit, e kupton më së miri rëndësinë e luftës

| 27 Jan 2025 | 21:00 | Nga

Presidentja Vjosa Osmani ka marrë sot pjesë në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist të Auschëitz-Birkenau në Krakow të Polonisë, krahas liderëve botërorë.

Në fillim të ceremonisë, Presidentja Osmani është pritur nga presidenti polak, Andrzej Duda, të cilit i ka shprehur mirënjohje për ftesën.

Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca thuhet se gjatë bisedave me liderët e tjerë, Osmani theksoi rëndësinë e kujtesës historike për të parandaluar përsëritjen e tmerreve të së kaluarës dhe për t`i promovuar vlerat universale të paqes, barazisë dhe humanizmit, shkruan Reporteri.net.

“Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit na kujton se duhet të qëndrojmë bashkë kundër çdo forme urrejtjeje dhe të sigurohemi që kurrë më të mos përsëriten tmerret e së kaluarës. Kosova, e cila ka kaluar përmes tmerreve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Millosheviqit, e kupton më së miri rëndësinë e luftës kundër urrejtjes dhe angazhimin për një të ardhme më humane dhe të drejtë”, ka theksuar Osmani.

Tutje thuhet se Osmani ka potencuar kontributin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve gjatë Holokaustit, “duke kujtuar se ata hapën dyert dhe zemrat për hebrenjtë, bazuar në vlerat e besës shqiptare, një akt që mbetet dëshmi e fuqisë së humanizmit dhe solidaritetit.”

Të ngjashme