Osmani në Portugali: Me qeverinë e re, korrupsioni në Kosovë i takon së shkuarës

Prishtinë | 30 Tet 2021 | 12:03 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, po qëndron në një vizitë zyrtare në Portugali ku ka pasur takime edhe me krerët e lartë të shtetit.

Osmani në një intervistë për median portugeze “DN”, ka thënë se Kosova ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit. Madje, ajo është shprehur se me institucionet e reja, korrupsioni tashmë i përket së shkuarës.

“Absolutisht. Mund të them që korrupsioni i përket së shkuarës, sepse është shumë e rëndësishme të thuhet se institucionet e sapozgjedhura po punojnë aktivisht në platformën kundër korrupsionit. Reforma e parë e madhe e institucioneve të reja është në sistemin gjyqësor, sepse ne besojmë se pa shtetin e së drejtës nuk mund të kemi sukses në asnjë fushë tjetër, qoftë ekonomia, integrimi, investimet në të rinjtë, barazia gjinore. E gjithë kjo lidhet me të paturit e një sistemi të fortë gjyqësor të aftë për të garantuar siguri dhe barazi për të gjithë.

Sipas Osmanit, përbërja e re qeveritare në Kosovë po punon për reformë në drejtësi në Kosovë.

“Ky është prioriteti ynë sepse lidhet drejtpërdrejt me suksesin tonë në të gjitha fushat e tjera. Dhe përpjekjet tona për reformën në drejtësi nuk janë bërë vetëm sepse e kërkon BE-ja, por mbi të gjitha sepse është ajo që ne besojmë se është më e mira për qytetarët. Ne po punojmë së bashku me BE-në dhe është e qartë se kemi nevojë për mbështetjen e disa shteteve anëtare, veçanërisht për aksesin në instrumentet financiare për të siguruar që mekanizmat që po ndërtojmë të jenë të suksesshëm. Në të njëjtën kohë kemi nevojë edhe për mbështetje politike dhe morale, sepse kjo nuk është një betejë e lehtë”, ka thënë Osmani ndër të tjera.

Të ngjashme