Gjatë një tubimi me qytetarët e Rahovecit, Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se më 6 tetor, me përkrahjen qytetare dhe fitoren e LDK-së, do të marrë fund logjika e tregtarëve të territorit.
“Më 6 tetor, me votën e lirë të qytetarëve, Rahoveci dhe e gjithë Kosova do të çlirohet nga logjika e tregtarëve të territorit. Me të tillët nuk kam bashkëpunuar dhe nuk bashkëpunoj kurrë. Me të korruptuarit nuk kam bashkëpunuar dhe nuk bashkëpunoj. Ju jeni dëshmitarë që unë nuk e keqpërdori votën dhe besimin tuaj”, tha Osmani.
Sipas saj, për ta mbrojtur Republikën, na duhet mobilizim sikur në vitet e 90-ta për ta votuar ndryshimin e madh, i cili vjen me LDK-në dhe numrin 134.
Në fjalimin e saj Osmani tha se jemi të vendosur më shumë se kurrë që ta mbrojmë votën, nga ata të cilët po synojnë ta blejnë besimin e qytetarëve.
Osmani ka thënë se me fitoren e LDK-së, Rahoveci nuk do të njihet në gjithë botën vetëm për verën e mirë, por do të njihet edhe për njerëzit e ndershëm e punëtorë, të cilëve do t’ju krijohen mundësi të mëdha për ta zhvilluar vendin e tyre dhe për të krijuar perspektivë për gjeneratat e reja.