Osmani në Samitin për Demokraci: Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka bërë progres në avancimin e demokracisë

Prishtinë | 29 Mar 2023 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani në Samitin për Demokraci të organizuar këtë të mërkurë virtualisht nga Shtëpia e Bardhë, ka thënë se Kosova gjatë vitit të kaluar ka bërë progres të jashtëzakonshëm në avancimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit si dhe luftimin e korrupsionit.

Ajo ka thënë se Kosova është duke e zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit, “krahas reformave të pakompromis dhe me ritme rekorde për ta garantuar një qeverisje llogaridhënëse, të barabartë dhe efektive në të gjitha institucionet publike”.

“Demokracia është më shumë se thjeshtë një sistem qeverisjeje. Për Republikën e Kosovës, ishte dëshira jonë e fortë për demokraci që siguroi rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Dhe duke e forcuar atë sot, demokracia do të na hapë rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme brenda institucioneve euroatlantike”.

“Në vetë thelbin e saj, demokracia ka të bëjë me të drejtën për ta zgjedhur drejtimin, të ardhmen dhe fatin tuaj. Populli i Kosovës ka zgjedhur rrugën e vet. Samiti i këtij viti për Demokraci ka qenë sigurisht viti ynë i veprimit! Me forcë dhe entuziazëm të plotë kemi punuar për t`i zbatuar zotimet, të cilat i kemi përcaktuar vitin e kaluar”, është shprehur mes tjerash Osmani.

Por sipas saj, “viti i veprimit” ka qenë gjithashtu një vit i sfidave të konsiderueshme globale, me shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të cilat po ndodhin në mbarë botën.

Osmani ka deklaruar se Kosova e di shumë mirë se si ndihet një popull i pafajshëm i cili në lëkurën e vet përjeton një lufte brutale dhe gjenocidale, “dhe pikërisht sepse e dimë këtë, pa asnjë mëdyshje vendosëm menjëherë sanksione kundër Rusisë dhe e kemi mbështetur pa ndalur popullin e Ukrainës”.

“Vuajtja e pamasë e popullit ukrainas shërben si një kujtesë e fuqishme se asnjë çmim nuk është aq i lartë për të paguar për liri dhe demokraci – dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë bashkë me aleatët tanë për t`i mbrojtur këto vlera kudo në botë”, ka thënë presidentja.

“Përpjekjet tona janë njohur në mbarë botën. Së bashku me miqtë tanë nga Republika Dominikane ne kemi bashkudhëhequr kohortën e Sundimit të Ligjit në kuadër të Samitit për Demokraci. Përveç kësaj, sipas Freedom House, Kosova në vitin 2022 është renditur si demokracia e tretë më e përmirësuar në botë, dhe në vetëm dy vite është ngritur për 20 vende më lart në indeksin antikorrupsion të Transparency International”.

Të ngjashme