Kryetarja e Kuvendit të Kosovës,Vjosa Osmani ka pritur në një takim shefin e Misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark. Në takim është biseduar për situatën aktuale me pandeminë Covid-19 dhe menaxhimin e saj. Wigemark ka përgëzuar kryetaren Osmani për miratimin ne Kuvend të Ligjit për Pandeminë, me të cilin sigurohet baza ligjore për menaxhim më efikas të kësaj situate.
Shefi i EULEX-it shprehu shqetësimin për dinamikën e ulët të proceseve gjyqësore gjatë kohës së pandemisë. Teksa kryetarja Osmani potencoi se mbrojtja e të drejtave të palëve në procese gjyqësore dhe evitimi u vonesave është me rëndësi në kohë pandemie.
Në këtë kontekst është përmendur edhe çështja e zgjedhjes së avokatit të popullit. Të dy palët u dakorduan që ky proces duhet të shoqërohet me respektim të bazës ligjore, në mënyrë që në krye të këtij institucioni të vihet person i përgatitur profesionalisht dhe me integritet.