Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka.
Në këtë takim, Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve të të dy shteteve.
Presidentja Osmani dhe ministrja Xhaçka kanë diskutuar fuqizimin e koordinimit në politikën e jashtme në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për rrugën euroatlantike, si dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Tutje, bashkëbisedueset kanë folur edhe për situatën e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë. Presidentja Osmani ka thënë se institucionet e Kosovës vazhdojnë të jenë plotësisht të përkushtuara për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në gjithë territorin e Republikës.
Por, sipas Presidentes Osmani, përpjekjet e Serbisë janë të vazhdueshme për destabilizimin e Kosovës, duke përdorur strukturat e saj ilegale në veri.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova vazhdon të luajë rol konstruktiv në dialogun me Serbinë, i cili duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.