Osmani në veri: Falë përkushtimit të policëve të Kosovës, shteti ynë qëndron i pathyeshëm përballë çdo sfide

Prishtinë | 31 Dhj 2024 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shkruar për vizitën që sot ka pasur në veri të vendit.

Osmani ka thënë se në veri vizituan Drejtorinë Rajonale të Policisë për të shprehur mirënjohjen për punën e policisë. E para e shtetit ka thënë se gjatë këtij viti sfidues, ata ishin shtylla e sigurisë dhe mbrojtësit e palëkundur të sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë.

“Në prag të ndërrimit të moteve, vizituam Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë Veriore, ku grave dhe burrave në uniformë pata rastin t’ua shpreh mirënjohjen e thellë për punën dhe përkushtimin e palodhur.

Gjatë këtij viti sfidues, ata ishin shtylla e sigurisë dhe mbrojtësit e palëkundur të sovranitetit dhe integritetit të Republikës sonë. Falë përkushtimit të tyre, shteti ynë qëndron i pathyeshëm përballë çdo sfide”, ka shkruar Osmani.

Presidentja e vendit po ashtu bërë të ditur se gjatë qëndrimit në veri, vizituan bizneset që së fundmi janë hapur dhe po ndikojnë në integrimin e të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Gjithashtu, në kuadër të kësaj vizite, ndamë momente gëzimi me më të vegjlit tanë, për festën e Vitit të Ri, dhe së bashku me ta vizituam bizneset e hapura së voni në veri të cilët po kontribuojnë jo vetëm në ekonominë e qytetit, por edhe në integrimin e të gjithë qytetarëve, pa dallim. Të gjithë fëmijëve dhe familjeve të tyre, të të gjitha etnive, nga zemra ju uroj një Vit të Ri, plot shëndet, begati dhe suksese! Le të jetë 2025 një vit i paqes dhe i mbarësisë për të gjithë!”, shkroi Osmani.

Të ngjashme