Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, në një tubim në Kaçanik e ka ftuar diasporën për investime në Kosovë.
Ajo tha se programi i saj për zhvillim ekonomik parasheh partneritet me diasporën, në mënyrë që ata të vijnë për të investuar në atdheun e tyre, për të ndihmuar zhvillimin e shtetit, mirëqenin e familjeve kosovare, por edhe për të krijuar profite si investitorë seriozë.
“E ftojmë diasporën tonë për partneritet, që të mobilizohen sërish, që kapitalin e krijuar me mund dhe me djersë, për këto 30 vite në vendet e perëndimit, të vijnë ta investojnë këtu në Kaçanik dhe në gjithë Kosovën”, tha ajo.
Osmani pohoi se diaspora gjithmonë ka treguar dhe vazhdon të tregojë gatishmëri për të investuar në Kosovë, por tani me qeverisjen e saj do të kenë projekte konkrete nga të cilat do të përfitojë ekonomia jonë, familjet e tyre dhe ata si investitorë.
Në tubimin me qytetarë, ajo tha se Kaçaniku nuk duhet të mbetet vetëm vend i heroizmave por duhet të bëhet vend me mundësi të mëdha zhvillimi.
“Disa politikanë ju respektojnë për të djeshmen, por ua kanë errësuar të sotmen, ua kanë errësuar të ardhmen, pasi që flasin për Kaçanikun legjendar dhe nuk kanë bërë asgjë për banorët e kësaj ane”, Osmani.
Ajo potencoi se në programin e saj qeverisës familja vlerësohet si shtylla e shtetit dhe e shoqërisë, andaj synimi i tyre është ta mbështesin zhvillimin e një familjeje të shëndoshë, të edukuar mirë, e cila e përballon jetën lehtë financiarisht.
“Familja e shëndoshë, është familja që përballon kostot e jetës, sidomos koston e banimit. Çifte të shumta sot në Kosovë përballen me vështirësi në blerjen e banesave të para. Në programin tonë, blerja e përballueshme për çiftet që blejnë banesën e parë është thelbësore. Në Kosovë brenda vitit janë 15.000 martesa, nga të cilat rreth 7,000 sosh blejnë banesë për herë të parë. Familjeve të reja, të cilat për herë të parë blejnë banesë, do t’ua subvencionojmë normat e interesit, duke i zvogëluar deri në 1%, dhe do t’ua zgjerojmë pagesën e kredive mbi 30 vjet”, tha kandidatja e LDK-së për kryeministre.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se ka ardhur koha që Kaçaniku të rreshtohet me fitoren e madhe të Vjosa Osmanit, për të cilën ka thënë se është lokomotiva e proceseve për ta transformuar Republikën e Kosovës.
“Me e mbështet Vjosën vetëm shtohet vlera, shtohet dallimi në fitore. Me ju thanë të drejtën jemi duke punuar shumë që këtë fitore me e bë të madhe dhe të plotë, me e bë aq të madhe sa kanë me na pa ëndërr prej trishtimit që kanë me pësua më 6 tetor. Unë jam i bindur se kur Kaçaniku çohet në këmbë për me bë ndryshimin e madh, e bënë ndryshimin e fortë”, tha Haziri.