Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e vizitave nëpër komuna, ka vizituar edhe Komunën e Lipjanit, me ç’rast tha se nga puna e kryetarit Imri Ahmeti, lipjanasit kanë me çka krenohen, raporton Ekonomia Online.
Këtë komunë, Osmani e ka konsideruar si një ndër komunat që ka ofruar mundësi të jashtëzakonshme për bizneset, ku operojnë mbi 2 mijë kompani.
“Ne sot me Lipjanin po i vazhdojmë vizitat nëpër komuna. Ahmeti është një prej kryetarëve që njihemi më shumë se 20 vite. Nga puna e tij e deritanishme, qytetarët e Lipjanit jam e bindur që kanë me çka të krenohen. Është komunë që ka ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për bizneset, janë mbi 2 mijë biznese që operojnë këtu. Biseduam edhe për investitorët e jashtëm”, tha Osmani.
Kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se në takim me presidentet Vjosa Osmani e ka njoftuar për sukseset, arritjet e projektet që janë duke u zhvilluar në këtë komunë.
“E informova për sukseset e deritanishme, arritjet dhe projektet që po zhvillohen. Natyrisht edhe për sfidat dhe çështjet e tjera që po ballafaqohemi si pushtet lokal”, ka thënë ai.