Osmani: Nuk ka luftë politike, vetëm po kërkoj që Asociacioni të jetë në përputhje me vendimin e Kushtetueses

Prishtinë | 05 Qer 2024 | 16:00 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për marrëdhëniet me Qeverinë e Kosovës, pas “përplasjeve” sa i përket hartimit të draft-statutit për Asociacionin dhe dërgimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.

Osmani tha për gazetarët se nuk ka luftë politike, porse ajo vetëm po kërkon që të respektohet Kushtetuta e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Presidentja Osmani i bëri komentet pas një takimi me kryetarët e komunave, e pyetur nga gazetarët në lidhje me “përplasjet” me Qeverinë Kurti për letrën që Qeveria ia kishte dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës rreth Asociacionit. Në një prononcim për EO, Osmani i kishte quajtur qesharake arsyet se pse nuk e kishin informuar atë rreth letrës.

“E para nuk ka luftë politike, presidentja kërkon vetëm e vetëm që të respektohet Kushtetuta e Republikës, territorit, funksionaliteti, apo parimi dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese sa i përket dokumentit të vitit 2015. Këto janë parime bazë që kam kërkuar të respektohen, e po bëhen më shumë se 10 vite. Atë qëndrim që kam pasur si deputete, të njëjtin e mbaj edhe sot”, deklaroi Osmani.

“Është detyrë e të gjitha institucioneve dhe e Presidencës që të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve duke bazuar në parimin ndarjes së kontrollit te pushtetit, parim i Kushtetutës së Republikës sonë. Nuk ka lidhje partiake, ajo për të cilën angazhohem vazhdimisht është raporti korrekt në përputhje me kushtetutën dhe në përputhje me interesin e Kosovës më të gjitha institucionet. Nuk besoj që në histori të Kosovës, një presidente me vullnet kaq të madh të bashkëpunoj kaq shumë edhe me Qeverinë edhe Kuvendin edhe të gjithë partitë politikë”, u shpreh Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ndërkaq, duke folur lidhur me këto mosmarrëveshje, deklaroi dje se me Osmanin e zyrtarët e lartë të tjerë, kanë edhe dallime.

E Osmani u shpreh se dallimet tejkalohen kur së pari vendoset interesi shtetëror e qytetar.

“Po e shoh që keni një unanimitet sa i përket kësaj pyetjeje, po e shoh se ka interesim… Kur vendoset interesi shtetëror dhe qytetar, mbi të gjitha, çdo dallim është i tejkalueshëm. E dini cili ka qenë dallimi, kemi folur publikisht, është e domosdoshme që të gjitha institucioneve, të gjitha partitë politike, të ulemi dhe të reflektojmë. Për mua temat e interesit nacional nuk janë detaje të parëndësishme, janë tema që kërkojnë kontributin e secilit prej nesh. Kur ulemi së bashku e vendosim, atëherë domosdoshmërisht rezultati do të jetë i mirë, siç ka dëshmuar historia për këto 25 vite”, tha e para e shtetit.

Të ngjashme