Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pa kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pa shpirtin e paepur të popullit të Kosovës, nuk do të kishim liri. Ajo merita për liri i dha edhe ish-presidentit historik, Ibrahim Rugovës, raporton Ekonomia Online.
Në ceremoninë e shënimit të 34-vjetorit të vizitës së senatorëve amerikanë të kryesuar nga Bob Dole, e para e shtetit tha se kur delegacioni amerikan ishte në po sheshin e njëjtë, ku u mbajt ceremonia, ish-senatorët ishin tmerruar me sulmet brutale të regjimit të Slobodan Millosheviqit.
“34 vjet më parë kur delegacioni amerikan ishte në po këtë shesh, ku zëri i tyre kumbonte për liri. Regjimi brutal i Millosheviqit mundohej ta shtypte protestën, por nuk e shtypi asnjëherë lirinë dhe pavarësinë. Të prirë nga senatori Bob Dole në Prishtinë panë dhe evidentuan dhe u tmerruan nga protesta kundër Millosheviqit. Tani Kosova shtet demokratikë dhe ShBA-ja është këtu me ne. Thirrja jonë për drejtësi dhe liri u dëgjua atëherë dhe e vërteta jonë u realizua”.
“Natyrisht kjo histori as nuk do të nisej as nuk do të kishte sukses pa ikonën e tij presidentin historik të Ibrahim Rugovës. Faleminderit SHBA-së që edhe sot ndodhen me ne. Shtatorja e protestuesit Faik Rexhepi është dëshmia e gjallë, pa Amerikën dhe pa shpirtin e paepur të popullit të Kosovës nuk do të kishim liri. Bënë që kauza jonë për lirinë dhe pavarësinë bënë të marrim mbështetje. Nderojmë kujtimin e asaj vizite historike”, ka thënë Osmani.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në këtë ditë festohet edhe miqësia e qëndrueshme ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës.
“Në këtë ditë së bashku, ne nuk kujtojmë vetëm një moment të rëndësishëm të historisë sonë të përbashkët, por pranojmë gjithashtu lirinë e qëndrueshme dhe miqësinë e qëndrueshme dhe historinë unike të përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Në vitin 1990, senatori Dole, një figurë madhështore në politikën amerikane dhe një avokat i palëkundur për të drejtat e njeriut, udhëhoqi një delegacion në Kosovë në një kohë kur rajoni po përballej me sfida të mëdha dhe të jashtëzakonshme. Mund të flasë drejtpërdrejt për interesin e thellë të senatorit Dole për rajonin dhe për angazhimin e tij për të drejtat e njeriut dhe luftën kundër agresionit”, u shpreh ai.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, këtë ditë e quajti historike për Kosovën. Vizitën e senatorëve të kryesuar nga Bob Dole, Rama tha se ishte vendimtare për zbulimin e shtypjes. Sipas tij, në atë kohë në Kosovë mijëra gra e burra ishin në shesh, ndërsa thirrjet e tyre për drejtësi më në fund po dëgjoheshin.
“Udhëheqësit e senatit amerikan kur erdhën na solli erën e shpresës dhe frymën e lirisë. Bota po ndryshonte me ritmet marramendëse, sistemi komunistë shtypja që popujt po duronin ishin në gramat e fundit. Kurse Kosova çdo ditë po e dinim që po vinim në pragun e një luftë. Bob Dole erdhi në hotelin ‘Grand’ me gjashtë kolegët, misioni i tij ishte vendimtare për zbulimin e shtypjes. Në atë kohë në Kosovë mijëra gra e burra ishin këtu në shesh, thirrjet e tyre për drejtësi më në fund po dëgjoheshin. Por frika ishte e madhe e policët serb fillonin t’i godisnin protestuesit, rruga u bë krejt qull prej topave të ujit e dinin që brenda hotelit Bob Dole do të takohet me liderët tanë. Kjo vizitë ishte vet pika e kthesës, nuk mund të mos e përmend edhe punën e palodhshme edhe të Xhim Xhema që i nxori vuajtjet e Kosovës”, u shpreh ai.