Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje nga bashkëshorti në Kamenicë. Osmani ka shkruar se koha e pandemisë i dha krahë edhe më shumë dhunës në familje
Osmani ka shkruar në Facrbook se shtëpitë në të cilat supozohet që njerëzit të ndihen më të sigurt gjatë pandemisë, për një numër të grave u kthyen në hapësirë makthi.
“Në rastin në Kamenicë e në shumë raste të tjera, dhuna merr jetë. Kjo kohë pandemie, për fat të keq, i dha krahë edhe më tepër dhunës në familje. Shtëpitë, hapësira ku ne supozohej të ndiheshim më të sigurtë gjatë pandemisë, për një numër gjithnjë e në rritje të grave, u shndërruan në hapësirë makthi”, ka shkruar Osmani.
Ajo thotë se përveç në rrugë e në punë, gratë nuk janë të sigurta as në shtëpi.
“Gratë lëre më që nuk janë të sigurta në punë e në rrugë, por shumë prej tyre nuk janë të sigurta as në shtëpi. Dhuna nuk arsyetohet, nuk tolerohet dhe duhet të dënohet. Ngushëllime familjarëve të viktimës!”, ka shkruar Osmani.