Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve ka kërkuar zbardhjen e fatit të të pagjeturve
Në një mesazh, Osmani ka theksuar se paqja ndërshtetërore e ka parakusht paqen shpirtërore të 1643 familjeve të të pagjeturve të Kosovës
Mesazhi i plotë:
Sot Kosova dhe e gjithë bota shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve. Ditë kjo në funksion të ngritjes së zërit për të zbardhur fatin e të gjithë atyre që nuk janë në mesin tonë, fati i të cilëve përbën shqetësim jo vetëm për familjarët, por për shoqërinë në përgjithësi.
Dy dekada pas luftës, të zhdukurit me dhunë mbesin plaga më e madhe dhe më e dhimbshme e shtetit tonë. Janë 1643 fate jetësore për të cilat institucionet nuk arritën të bëjnë asgjë përgjatë këtyre 21 vjetëve. Sot, pesha e fatit të tyre rëndon mbi secilin politikan të Kosovës. Mbi ne bie përgjegjësia e zbardhjes së fatit të secilit, ndërkaq pesha e fajit bie mbi shtetin e Serbisë.
Sot kur Kosova zhvillon negociata me këtë shtet që kreu veprime gjenocidale, për të arritur atë që po quhet Marrëveshje Përfundimtare, para nesh shfaqet portreti i secilit të zhdukur. Sot ne nuk e kemi një përgjigje përfundimtare për familjarët e tyre, siç nuk e kemi as argumentin kryesor: si mund të ketë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë teksa nuk e dimë ku i kemi njerëzit tanë, të cilët ajo i mori dhunshëm! Rrjedhimisht duket e pamundshme dhe anakronike një marrëveshje përfundimtare pa zbardhje të fatit të të zhdukurve dhe pa adresim të fajit ndaj shtetit serb. Paqe nuk do të ketë përderisa secila nënë e baba nuk e gjen fëmijën e vet. Paqja ndërshtetërore e ka parakusht paqen shpirtërore të 1643 familjeve në Kosovë!