Osmani për akuzat e Pacollit: Është kohë zgjedhjesh, mund të dëgjoni lloj-lloj deklaratash

Prishtinë | 24 Tet 2024 | 13:38 | Nga Gzim Mujaj

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, prandaj edhe mund të dëgjohen lloj-lloj deklaratash, raporton Ekonomia Online.

Këto komente ajo i bëri kur u pyet nga gazetarët rreth akuzave të kreut të AKR-së, Begjet Pacolli, se ai ka komunikuar me Milan Radojiçiqin për të siguruar votat që do të mundësonin formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentes.

Kjo kërkesë siç kishte thënë Pacolli kishte ardhur nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Osmani. Por e para e shteti këtë e ka quajtur fushatë, duke u rekomanduar medieve që për çdo pyetje t’i drejtohen me shkrim.

“Është kohë zgjedhjesh, mund të dëgjoni lloj-lloj deklaratash kështu që iu kisha lutur për çka do që keni pyetje t’i drejtori në Presidencë”, u tha ajo gazetarëve.

Behgjet Pacolli, kryetari i AKR-së ka thënë se ka biseduar me Milan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe – tash kryeterrorist për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Pacolli shtoi se biseda me Radoiçiqin ishte kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani për të siguruar votat që do të mundësonin formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentes.

“Ka qenë ora 12:30 pasmesnatës, ka qenë praktikisht në fillimin e ditës kur është votuar. Dhe më kanë thirr që të shkoj në Parlament, kam shkuar, në zyrën private të kryetares së së Parlamentit, aty më kanë pranuar. Nuk kam qenë vet, kam qenë më një person tjetër. Ai më duket se ka bërë edhe disa fotografi në atë mbrëmje. Kurti ka qenë i ulur para meje, këmbë mbi këmbë. Në anën tjetër ka qenë zonja Osmani. Unë isha kthyer nga Turqia me kërkesën e tyre, me një avion privat, duke paguar goxha shumë para për të votuar për presidenten. Pasi, më thanë sa isha në Stamboll, se mungon vetëm vota ime. Dhe formimi i Qeverisë është në duart e mija, unë nuk kam mund mos me u kthye. Dhe atë natë më kanë thënë se mungojnë edhe votat e tjera dhe më thonë zoti Pacolli, ju, si gjithmonë gjeni një zgjidhje. Unë iu kam thënë se është vështirë, t’i drejtohem dikujt tjetër nga partitë tjera, pasi hasmëria ka qenë goxha e madhe. Por që mbetet vetëm Lisa Serbe, ajo ka qenë në parlament. Dhe ka pasur deputetët e vet”.

Më tej Pacolli tregon se e ka thirru ish-nënkryetarin e Lisët Serbe Millan Radojiçiq. Sipas tij, pas një hezitimi fillestar nga Radojiçiqi, një telefonatë e mëvonshme bëri që deputeti Adem Hoxha të merrte pjesë në votim.

“Unë kam pasur një komunikim me zotin Radojçiq, ju e dini jam takuar edhe në jaht. Rastësisht e kam takuar dhe e kam ditur kush është. Dhe ai emër është dëgjuar kur është bërë nënkryetar i Listës Serbe. Dhe kam thënë se ndoshta e gjej numrin e tij të telefonin te një koleg i juaj. Kam telefonuar një gazetar dhe ma kanë dhënë numrin  tij. Kam thënë se vetëm këtë me lut. Me e pyet. Nëse dëshiron ai. Dhe më kanë thënë sigurisht që po. Ata janë deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe unë e kam thirru atë. Në momentin e parë (Radoiçiqi) nuk ka pranuar me dërgu askënd. Dhe kam qenë shoferin duke shkuar në shtëpi, në makinë, kur më ka thirr dhe më ka thënë shiko po më vjen shumë rënë mos më implementuar këtë që po ma kërkon. Më thotë nesër në ora tre, deputeti Adem Hoxha është para parlamentit dhe do të jetë prezent. Dhe kjo ka ndodhur. Besoj që i kam shërbyer vendit dhe zotit Kurti dhe zonjës presidente”, ka shtuar Pacolli.

Me 71 vota për, më 4 prill të 2021 Kuvendi kishe zgjedhur Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.

Të ngjashme