Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila aktualisht ndodhet në një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci, ka deklaruar se Serbia ka kryer një akt agresioni në shtetin e Kosovës dhe se është e gabuar të flitet për ndonjë faj të përbashkët.
Ajo në një intervistë për televizionin publik kroat, HRT, ka thënë se Kosova është viktimë e sulmit të Serbisë, e cila ka përdorur forcat paramilitare dhe ka sulmuar territorin e Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani gjithashtu ka theksuar se armët e konfiskuara në veri të Kosovës janë prodhuar në Serbi dhe se ky sulm kishte për qëllim aneksionin e pjesës veriore të Kosovës, ndonëse “pasojat do të destabilizonin gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
“Është një akt agresioni i kryer nga Serbia. Nga njëra anë kemi një agresor të qartë që përdor forcat paramilitare dhe sulmoi territorin e Republikës së Kosovës, e cila është viktimë e atij sulmi. Prandaj, nuk mund të flasim për ndonjë faj të përbashkët sepse Kosova në asnjë mënyrë nuk ka dhënë një motiv për këtë sulm të planifikuar”, ka deklaruar ajo.
Ajo po ashtu ka akuzuar Serbinë për financimin e hapur të Brigadës së Veriut dhe Mbrojtjes Civile, përfshirë stërvitjen e tyre në objektet ushtarake serbe.
“Për këtë ka dokumentacione dhe materiale të regjistruara. Industria ushtarake serbe prodhoi armët që ne i konfiskuam, të cilat i përkisnin Brigadës së Veriut dhe Mbrojtjes Civile, pasi më parë i përkisnin vetë ushtrisë serbe. Prandaj, zinxhiri i provave të dërgon në ushtrinë serbe. Dhe për më tepër, vetë Vuçiq është i lidhur me Milan Radoiçiqin, i cili është udhëheqësi i atij sulmi terrorist”, ka thënë tutje Osmani.
Presidentja Osmani gjithashtu ka theksuar se lideri serb, Aleksandër Vuçiq, është i lidhur me udhëheqësin e sulmit terrorist, Milan Radojçiq.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar se Serbia po ndiqet nga një mentalitet i njëjtë i viteve nëntëdhjeta dhe po tenton të kthejë rajonin në një epokë të errët.
Ndryshe, Osmani gjatë qëndrimit në shtetin kroat ka takuar presidentin e atij vendi, Zoran Milanoviq si dhe kryeministrin, Andrej Plenkoviq.