Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se qytetarët serb të cilët i kanë bojkotuar institucionet e Kosovës, e kanë bërë këtë nga presioni i Serbisë, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka thënë se këta qytetarë duhet ta kuptojnë se Kushtetuta ua garanton të drejtat e tyre e se nuk mund të bëjnë përpjekje tjera përtej “asaj që na jep Kushtetuta dhe demokracia”.
“Sa i përket gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç e dini së bashku edhe me pjesëtarët e institucioneve të tjera ata janë larguar nga puna me presion të Serbisë. Përpjekjet tona janë përpjekje demokratike që t’i bindim që të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë janë të drejta që nuk mund t’i gjejnë askund në Evropë”.
“Përpjekje përtej asaj që na jep Kushtetuta dhe demokracia në vend nuk mund të ketë. Të gjithë qytetarët serb duhet ta kuptojnë që mënyra më e mirë për garantimin e të drejtave të tyre është që t’i shfrytëzojnë të drejtat që Kushtetuta dhe ligjet u a njohin”, u shpreh ajo.
Ndërsa, e pyetur për zgjedhjet në veri, Osmani tha se do të mbahen me 23 prill e se KQZ dhe institucionet e sigurisë janë duke punuar që qytetarët të ndihen të sigurt në këto komuna dhe të dalin në votim.
“Sa i përket zgjedhjeve ata janë caktuar për datën 23 prill në bashkëpunim me të gjitha subjektet politike në vend. Ato që kanë qenë të regjistruara për zgjedhjet që do të mbahen në katër komunat e veriut”.
“Institucionet e sigurisë janë duke bërë përpjekje dhe punën që në këto komuna të ketë siguri të mjaftueshme për qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Deri tani unë nuk kam as një letër, as një vlerësim, as një informatë që do të më qonte tek drejtimi i kundërt. Të gjitha vlerësimet nga institucionet është se zgjedhjet mbahen ashtu siç janë caktuar. KQZ po bën përgatitjet e nevojshme dhe po bënë një punë të shkëlqyeshme”, tha Osmani, raporton EO.