Osmani përkujton heronjtë e 31 janarit: Sakrifica e tyre, themel i lirisë së Kosovës

Prishtinë | 31 Jan 2026 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot 31 janarin e vitit 1997, ditën kur ranë heroikisht për atdhe Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, duke nderuar sakrificën e tyre në Prishtinë, Orllan dhe në sheshin e Podujevës.

Përmes një postimi, Presidentja Osmani theksoi se këta tre heronj përbëjnë themelet e lirisë së Kosovës dhe frymëzuan mijëra të rinj e të reja që t’i bashkohen radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vënë jetën e tyre në shërbim të lirisë.

“Sot u përkulëm para themeleve të lirisë sonë. Sakrifica e tyre u kthye në fitore, gjaku i derdhur në themel shteti, ndërsa rënia e tyre në triumfin e lirisë së Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka shprehur mirënjohje të përjetshme për të gjithë heronjtë e UÇK-së, duke theksuar se kujtimi dhe vepra e tyre do të mbeten udhërrëfyes për brezat e ardhshëm në ndërtimin dhe ruajtjen e shtetit të lirë dhe sovran të Kosovës.

Të ngjashme