Ushtruesja e detyrë së presidentes, Vjosa Osmani, ka pezulluar nga puna sekretarin e Zyrës së Presidentit, Driton Gashin, me dyshimin për shkelje të rënda në detyrat e punës.
Vendimi është marrë më 15 dhjetor, bazuar në dokumentin që ka siguruar KOHA.
“Pezullohet nga puna Sekretari i Zyrës së Presidentit, z. Driton Gashi, me dyshimet për shkelje të rëndë të detyrave të punës”, thuhet në pikën pikën e parë të vendimit.
Driton Gashi para se të bëhej sekretar në Presidencë kishte qenë shef i AKI-së. Ai thotë të mos e ndiejë veten përgjegjës për asgjë në lidhje me këtë ngjarje.
“Përgjigjen zyrtare e ka dhënë Prokuroria – institucioni i shtetit – nëse unë jam përgjegjës për ndonjë veprim ose jo… Për atë çështje ka pasur një lloj hetimi preliminar”, ka thënë Gashi të enjten për KOHËN. “Në atë hetim preliminar është konfirmuar zyrtarisht që nuk ka kurrfarë përgjegjësie penale”.
Më 30 mars të vitit 2018, Ramush Haradinaj si kryeministër i kishte kërkuar Driton Gashit ta linte detyrën e kreut të AKI-së, në formë pakënaqësie për aksionin që ishte marrë në fshehtësi për kapjen dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq, me kërkesë të Ankarasë zyrtare. Në vend të tij ishte vendosur Shpend Maxhuni, një tjetër njeri i afërt me Thaçin. E në fundvitin e shkuar Maxhuni dha dorëheqje për arsye shëndetësore. Pas kësaj, Kreshnik Gashi, njeri që shihej i afërt me PDK-në, ishte bërë drejtor i AKI-së, kurse Burim Ramadani, eksponent i AAK-së, ishte emëruar inspektor i përgjithshëm.