Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se një plan i ri për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e nënshkruar para një viti, është duke u hartuar në Bruksel, e se atë paraprak ajo e ka kundërshtuar nën arysetimin se e favorizonte Serbinë. E para shtetit ka thënë se Serbia është fajtore për moszbatimin e marrëveshjes së Ohrit, duke e shkelur me dhjetëra herë atë, raporton Ekonomia Online.
Osmani ka thënë se një plan për zbatimin e plotë dhe të pakushtëzuar të kësaj marrëveshjeje duhet të bëhet, ndërsa theksoi se është “tejet e qartë se cila është pala e cila po i shkelë marrëveshjet”.
Ajo ka shtuar se si presidente ka qenë kundër planit të mëhershem të propozuar nga ndërmjetësit, pasi në atë plan është paraparë që shumica e përfitimeve të Serbisë të jenë në fillim të zbatimit kurse ato të Kosovës të vijnë krejt në fund.
“Mendoj që mjafton që të lexohet marrëveshja dhe aneksi i Ohrit dhe të shikohen veprimet e palëve në terren për të ardhur në një përfundim komplet objektiv. Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje e cila qartë i kërkon që të mos shkelë integritetin e Kosovës, ta njohë barazinë e palëve, të mos votojë kundër Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare e që të mos përdorë dhunë në relacionet ndërshtetërore. Serbia nuk e ka zbatuar më shumë se gjysmën e marrëveshjeve që janë nënshkruar në këtë 12 vjeçarin e më shumë atë të dialogut Kosovës-Serbi”, ka thënë Osmani gjatë një vizite në Komunën e Lipjanit.
“Mendoj që është e qartë se cila është pala e cila po i shkelë marrëveshjet. Ajo që do të duhej të ndodhte ne këtë periudhë dhe që nuk ka ndodhur, që do ta lehtësonte zbatimin e plotë të pakushtëzuar dhe të menjëhershme të kësaj marrëveshje të tërë, është mungesa e një plani të zbatimit i cili ende është duke u hartuar në Bruksel. Për të nuk ka pasur pajtim të plotë, unë si presidente kam qenë kundër një plani që u pat propozuar nga ndërmjetësit sepse ka paraparë që shumica e përfitimeve që i ka Serbia nga ky plan të jenë në fillim të zbatimit kurse ato të Kosovës të vijnë krejt në fund”, u shpreh Osmani.
“Kërkoj që të ketë trajtim të barabartë të palëve, që plani sekuencimit të zbatimit të ketë parasysh si Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë në mënyra paralele te menjëhershme”, ka thënë ajo.