Ekziston një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët, mendoj se kemi arritur deri tek fundi i problemit, thotë nënkryeministri për Eurointegrime Bujar Osmani në intervistën për televizionin grek TV Antena.
Shkurt pas takimeve të djeshme me homologët e tij, Nikos Koxias dhe Jorgos Katrugalos, Osmani duke folur për televizionin sqaron se problemi me emrin përveç se e bllokon perspektivën euroatlantike të Maqedonisë, paraqet edhe pengesë për bashkëpunimin bilateral.
“Mendoj se po i vjen fundi këtij kontesti. Ne na mori 25 vjet mundësi për bashkëpunim, për këmbim dhe zhvillim. Tani ka ardhur koha që ta mbyllim, pa dëme dhe duke marrë parasysh ndjeshmërinë e të dyja palëve për këtë çështje. Ekziston zgjidhje e cila është e pranueshme për të dyja palët, por pa u sulmuar vlerat më të ndjeshme që të dyja palët i kanë rreth kësaj çështje”, tha Osmani për “TV Antena”.
Ai, si në deklaratat për mediat pas takimit, kështu edhe për televizionin grek “Athina”, lidhur me shkrimet në media për emrin “Maqedonia e re” si një zgjidhje të mundshme, tha se ende nuk është arritur deri në atë fazë sa të bisedohet për propozime konkrete.
“Ne tani flasim për metodat për qasje, për ndjeshmërinë e problemit dhe për krijimin e kontakteve pozitive dhe për ndonjë hap që ndërkohë duhet të bëhet që të arrihet ky moment i pjekurisë, që të mundet ta mbyllim kontestin”, u shpreh Osmani.
Lidhur me atë nëse do të shpallet referendum në Maqedoni, Osmani tha se në këtë fazë duhet që të fokusohemi për gjetjen e zgjidhjes, ndërsa referendumin duhet ta lemë për më vonë.